Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Demokratët paraqitën shqetësimin e tyre në parlament, për bllokim të reformës elektorale. Deputetët e opozitës kërkuan nga socialistët respektim të protokollit të nënshkruar ndërmjet dy forcave politike.
Bamir Topi: “Ju kërkojë zoti kryetar, të ushtroni influencën tuaj institucionale, mbi të gjithë deputetët që janë në komisionin bipartizan dhe në radhë të parë mbi përfaqësuesit e mazhorancës që këto pengesa të karakterit artificial që kërkojnë me çdo kusht që të shtyjnë kohën dhe ta sjellin sa më afër situatës zgjedhore, të eliminohen për të bërë të mundur që edhe ky rekomandim i fundit i BE, të realizohet sa më shpejtë të jetë e mundur.”
Kryetari i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi, cilësoi jo të mirë punën e ekspertëve, e për pasojë komisionerët sipas tij, nuk interpretojnë siç duhet variantet për rikompozimin e KQZ.
Gramoz Ruçi: “Ne me keqardhje konstatojmë që ekspertët e përcaktuar nga komisioni, të cilët rrjedhin nga protokolli i nënshkrimit midis nesh, mesa duket nuk janë në gjendje që teknikisht të përcaktojnë, ose të implementojnë pikërisht ato rekomandime që ka bërë OSBE dhe ODIHR-i për rekomandimet që ka pasur për përmirësimet e kodit elektoral në Shqipëri, prandaj ne edhe njëherë përsërisim në parlament, që asnjëherë nuk do të jemi pengues, apo frenues të implementimit të këtyre rekomandimeve. Po kërkojmë rekomandimin e ekspertëve të ngritur me miratimi e të dy palëve dhe un dot konstatoja me keqardhje që mesa duket ekspertët që ndodhen pranë përfaqësisë së OSBE në Tiranë, nuk janë në gjendje të bëjnë implementimin e këtyre rekomandimeve. Prandaj kërkesa jonë është që, specialistë të kualifikuar të ODIHR-it dhe të OSBE-së, të vijnë në Tiranë dhe të japin kontributin e tyre, se si ata i kuptojnë dhe i nënkuptojnë ato rekomandime që kanë bërë vetë në raportin e OSBE-ODIHR.”
Ndërsa bashkëkryetari socialist Elmaz Sherifi këmbëngul në pamundësinë e ndryshimit të KQZ, pasi ndërhyrja në Kushtetutë sipas tij kërkon edhe referendum përpara zgjedhjeve të 2005. Raporti i BE ndër të tjera, kritikon edhe për bllokimin e reformës zgjedhore./tvklan.al