Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kuvendi vendosi të kalojë në seancën e të enjtes tre dekretet e presidentit mes të cilëve ai i emërimeve të Ardian Fullanit, si guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe të deputetit Robert Çeku për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo kandidaturë është kundërshtuar nga partitë opozitare në parlament.

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha, se presidenti duhet të merrte pëlqimin e partisë përpara se të vendoste për dekretimin e republikanit Çeku. Ndërsa për liderin demokrat Berisha, kreu i shtetit duhet të konsultohej me të gjitha partitë opozitare.

Sali Berisha: “Kur kreu i shtetit merr përsipër të servir parlamentin, jo një ekspert, jo një kontabël, të pavarur jo një jurist, por një politikan të mirëfilltë, për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm të luftës kundër korrupsionit, njeri që nuk ka mbështetjen as të partisë së tij dhe opozitës, unë mendoj se ai ofendon, pluralizmin në tërësi.”

Fatmir Mediu: “Duke vlerësuar maksimalisht figurën e zotit Çeku, si njeri me integritet profesional dhe moral, absolutisht veprimi i presidentit të republikës është veprim i pa moralshëm dhe veprim i cili nuk përputhet aspak me logjikën e funksionimit të shtetit shqiptar.”

Për deputetin demokristian Nikollë Lesi, përzgjedhja e presidentit fyen përveç opozitës dhe komunitetet fetare.

Nikollë Lesi: “Kryetari i shtetit Moisiu ortodoks, kryeministri ortodoks, prokurori i përgjithshëm ortodoks, kryetari i Gjykatës Kushtetuese ortodoks, kryetari i Gjykatës së Lartë ortodoks dhe propozimi i fundit i kryetarit të shtetit sillet përsëri ortodoks. Duhet të kuptohemi drejt, nuk kam asgjë përveç një myslimani që është kryetari i parlamentit që s’ka asgjë në dorë.”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj