Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në seancën parlamentare të pasdites, deputeti demokristian Nikollë Lesi, duke folur për çështjen çame, bëri të ditur se zotëron një dokument, ku ambasadori grek në Tiranë, i bën shantazh zv/ministrit të Jashtëm Hajdaraga. Në të thuhet, se nëse rezoluta çame kalon në parlament, atëherë qeveria greke do të përzër emigrantët shqiptarë.

Nikollë Lesi: “Mua sot më ka rënë në dorë një material sekret, i cili i është dërguar një kopje kryeministrit të Shqipërisë dhe një kopje Presidentit të Republikës. Informacion ku thuhet, nga zv/ministri i Punëve të Jashtme Luan Hajdaraga. Materialin e disponojë, ku thotë sot më erdhi, dt. X, nr. protokolli nuke nxjerrë se shkarkohen njerëzit, Ambasadori i Republikës së Greqisë dhe ku tha, nëse nesër, rezoluta për çështjen çame kalon në parlament, gjithë emigrantët qeveria greke i kthen në kufi dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, njohin ftohtësi dhe akull. Ky është presion dhe shantazh zoti kryetar, pra ky material, në momentin e duhur dhe në kohën e duhur kur ju mendoni, unë e nxjerr dhe ky është një skandal diplomatik, i vendit fqinj, që kërcënon për një rezolutë për çështjen çame”.

Më pas, Guvernatori Shkëlqim Cani paraqiti në Kuvend raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë. Ai deklaroi se për vitin 2003, ekonomia pati rritje.

Shkëlqim Cani: “Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2003, duket se i është kthyer ritmeve të kënaqshme të rritjes ekonomike. Vlerësimet paraprake tregojnë, se prodhimi i brendshëm bruto në terma real është rritur me 6% gjatë vitit 2003, krahasuar me 4.7% që ishte në vitin 2002. Rritja e aktivitetit ekonomik është vërtetëuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, më e theksuar rritja vlerësohet të jetë në sektorin e ndërtimit, të shërbimeve dhe transportit”.

Në parlament vazhdojnë debatet lidhur me raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini