Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kuvendi zhvilloi gjatë mbrëmjes mocion për debat me kryeministrin kërkuar nga një grup deputetësh për problemin e medias. Nënkryetarja Jozefina Topalli e cilësoi kryeministrin tregtar ligjesh, duke iu referuar ligjit të deklarimit të pasurisë, por dhe gjykatat, për vendimet e dhëna në proceset e botuesit Nikollë Lesi dhe gazetarit Mero Baze. Sipas saj, kryeministri me media të linë nënkupton vetëm numrin e gazetave dhe jo lirinë e pasqyrimit.

Jozefina Topalli: “Lajmet e këqija për ju, nuk janë të këqia për faj të medias, por për fajin tuj, pastaj zoti kryeministër, lajmësi nuk vritet për dhënien e lajmit, nëse s’pranoni të ballafaqoheni me lajmin, me të qenurit publik, me dështimin, inatin s’keni pse e nxirrni me to, por me veten. Sa shumë e vlerësuat median tre vjet më parë, kur ajo ju mbështeti në lëvizjen katharsisit, nëse ju pëlqehu atëherë kur sulmuat Naçin, Baçin, vjedhjen, trafiqet e influencave ekonominë informale, pasuritë e paligjshme, pse nuk e mirëkuptoni atë, kur ajo s’bën gjë tjetër veçse i qëndron besnik vetes dhe ju thotë juve, se tradhtuat vendin në betejën tuj”.

Topalli akuzoi kryeministrin, se ka shndërruar televizionin publik në transmetues privat të aktiviteteve të tij dhe në fakt opozita kërkoi që transmetimi i mocionit për debat të mos përfshinte vetëm fjalën e kryeministrit, por edhe atë të përfaqësueses të opozitës, për të arritur këtë qëllim, deputetët e opozitës mundën të ndërpresin fjalën e kryeministrit Nano.

Në fjalën e tij, kryeministri Nano ka deklaruar, se pjesa më e madhe e pronarëve të medias ka shkelur ligjin, ndaj justifikohen përmes lirisë së medias. Vetëm 50% e bilancit është deklaruar sipas shefit të qeverisë, bazohet në zëra legal, ndërsa për pjesën tjetër, kryeministri deklaroi se mediat iu referohen burimeve informale.

Fatos Nano: “Për shembull, nuk pasqyrohet pretendimi publik i zotit Aleksandër Frangaj, se në TV Klan janë investuar 6 milion dollarë, nuk del nga bilanci. Televizioni me licencë kombëtare Klan, për vitin 2003, pati të siguruar 21 vetë, me pagën minimale të reja, 10 mijë e 184 lekë mujore. Prandaj shumëkush edhe këtu, vazhdon të habitet me autoveturat, shtëpitë e banimit, apo të pushimit të disa gazetarëve, të cilët pagën ligjore e kanë vetëm 100 dollarë në muaj. Nuk besoj se do justifikohen me honoraret, sepse edhe kjo nuk justifikohet me të dhënat e kontributit të detyrueshëm ndaj ligjit fiskal, për këtë kategori të ardhurash. Kjo çështje nuk është në juridiksionin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, por ama drejtorisë së përgjithshme të tatimeve i duhet të zbatojë ligjin dhe jo të habitet”.

Debati për median ka shndërruar parlamentin në një tribunë të akuzave mes pozitës dhe opozitës.

Sali Berisha: “U përpoq, asgjë tjetër vetëm të vazhdojë terrorin e tij mbi mediat, duke i akuzuar ato, për fajin e vetëm, se ushtrojnë veprimtarinë e një shteti informal, që është dhe shteti i ëëë.telekuplaras, apo telebixhozi, apo teleruletës, ku i ka aksionet zotëria i tij”.

Nikollë Lesi: “Kam 7 vite deputet dhe mund ta kisha shfrytëzuar mandatin tim parlamentar dhe mediatik, për të bërë privatizime, apo për tendera. Ju deklarojë me përgjegjësi të plotë, nuk kam privatizuar asnjë metër katror nga ndërmarrjet shtetërore dhe nuk kam përfituar asnjë tender në fondet publike, për filialet e mija që janë veçse mediatike, ndërkohë që shumica e pronarëve të medias e viteve të fundit kanë përlarë tendera miliona dollarë dhe nuk i lejohet kryeministrit të shpërdorojë pushtetin për inatet e tij personale, që ka në këtë rast me TV Klan”.

Ben Blushi: “Unë e di se sa dilema kalojnë në kokën e mikut tim Nikollë Lesi sot. Koha e ka sjellë që shumë miq të përbashkët ta këshillojnë të lërë kapriçot pa interes dhe të futet në botën e pazareve dhe të kënaqet epsheve financiare. Shumëkush i thotë sot, lëre në fund të fundit, ç’punë ke ti që kruhesh me qeverinë, mbaro ndonjë punë dhe ti, fito ndonjë lekë, legalizo pallatin që ke ngritur me aq mundime, e në fund fare ç’a nuk i thonë. Besoj se ky është në thelb problemi themelor i shtypit…”/tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj