Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kufizimet e energjisë elektrike do të vazhdojnë sepse situata në liqenin e Fierzës, nuk është normalizuar dhe reshjet kanë qenë të pakta. Ministri i Ekonomisë dhe Privatizimit, Mustafa Muçi, ka deklaruar para deputetëve, se për tre muajt e parë të këtij viti qeveria do të importojë 350 milion kilovatë/orë energji elektrike, si dhe do të subvencionojë çmimin e shitjes për popullatën. Muçi hodhi poshtë akuzat për shitje të energjisë elektrike me çmim të ulët e në sasi të mëdha.
Mustafa Muçi, Ministri i Ekonomisë:- “Edhe dhjetëditëshi i parë i vitit 2001, vazhdon pa kufizimet e energjisë elektrike, ndërsa këto tre ditët e fundit, kemi filluar përsëri, kufizime të pjesshme të energjisë elektrike, sepse konsumi është rritur për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Për të përballuar këtë situatë të vështirë elektroenergjitike, qeveria shqiptare, ka subvencionuar KESH-in, për importimin e energjisë elektrike në vitin 2000, për një miliard kilovat/orë energji elektrike”.
Gjatë debatit për situatën elektroenergjitike, deputetët e opozitës, fajësuan qeverinë për fshehjen e krizës gjatë muajve të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Opozitarët këshilluan privatizimin e shpejtë të KESH, për të dalë nga situata e rëndë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame