Thuajse një vit nga tragjedia e Gërdecit, politika shqiptare përfshihet nga debate të ashpra për këtë ngjarje. Kryetarja e Grupit Kuvendor të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka akuzuar qeverinë si të përfshirë në këtë çështje, duke shtuar se Gërdeci nuk ishte një aksident por dëshmi e korrupsionit të pastër qeveritar.
Valentina Leskaj: “Këta njerëz nuk ishin viktimë të fatit, jo të aksidentit teknologjik siç e quajti qeveria aktuale, por të teknologjisë makute dhe të pa skrupull të kastës qeverisëse. Pa dyshim që historia e një kombi ka dhe njeh edhe fraktura, edhe aksidente të llojeve të ndryshme që mund t’i shkaktojë natyra apo gabimi njerëzor. Po tragjedia e Gërdecit nuk ishte asnjë nga këto”.
Menjëherë ka reaguar dhe kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, duke kundërshtuar Kryetaren e Grupit Socialist.
Jozefina Topalli: “Pyete kryetarin tuaj, me kë ishte Deliorgji në këtë operacion? Pse nuk janë heq lejet e ndërtimit që Delijorgji ka midis Tiranës të dhëna nga kryetari juaj? Sa pjesë është aty brenda? Pyet kryetarin, nuk ke qenë ti në Kretë me Delijorgjin. Pyet kryetarin pse në Kretë me Delijorgjin. Po, pyet kryetarin pse nuk ke gjete lejet e ndërtimit të një lagjeje, të dhëna nga kryetari dhe që përsëri vazhdon punën aty”.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme për çështjen e Gërdecit është prononcuar dhe kryeprokurorja e përgjithshme, Ina Rama, e cila ka deklaruar se së shpejti të shkojë për shqyrtim në gjykatë.
Ina Rama: “Nuk është çuar ende po jemi në përfundim të të gjitha veprimeve të fundit. Kshu që është çështje ditësh”.
Në 15 mars të vitit 2008 nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve në Gërdec rreth 26 persona humbën jetën, ndërsa rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur./tvklan.al
Gazetarët: Eno Luarasi, Jolldiz Mitro
Operatori: Ben Haxhiaj