Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Deputetët e mazhorancës socialiste kanë vendosur ta hedhin poshtë me shumicë votash, raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si të pabazuar në fakte reale. Ish-kryeministri Majko ka propozuar hetim nga prokuroria, për vërtetësinë e shifrave të këtij raporti dhe për shkaktarët e abuzimeve. Vetë kryekontrollori Kërçuku, deklaroi në parlament, se shifrat e zhdoganimeve të kafesë, cigareve dhe karburanteve në vitin 1999, kanë qenë të ulëta.

Mustafa Kerçuku, Kreu i KLSH:- “Është zhdoganuar po për vitin ’99, 2115 ton cigare. Janë zhdoganuar 172 mijë ton karburanti, por duke i krahasuar me vitet e kaluara edhe në vitin 2000, këto shifra nuk përputhen dhe kanë ndryshime të mëdha në sasi natyrale. Problemi kryesor që ne ngrejmë është se planifikimi i të ardhurave nga zhdoganimi, nga vlerat e zhdoganimit të këtyre artikujve nuk bëhet në përputhje me një studim të mirëfilltë, që duhet të ketë shteti”.

Ndërkohë kryeministri Meta pranoi se një pjesë e fakteve janë të vërteta dhe shprehu mbështetjen në luftën anti-korrupsion.

Kryeministri Ilir Meta:- “Masat e rrepta që kemi marrë deri tani ndaj disa drejtuesve në nivelet nga më të lartat, shkarkimet dhe deri te denoncimi penal i tyre, flet qartë për këtë, por sidoqoftë në shumë raste rekomandimet e KLSH edhe kur nuk janë zbatuar siç duhet, kanë shërbyer si sinjal për të thelluar verifikimin me anë të kontrollit tonë administrativ. Kështu me gjithë rritjen e ndjeshme të objektivave të buxhetit për vitin 2000, në raport me ‘99, ne kemi arritur që përgjegjësisht t’i realizojmë ato me sukses”.

Nënkryetarja demokrate Jozefina Topalli, fajësoi qeverinë për abuzimet në tendera, dogana dhe vjedhjen e thesarit.

Jozefina Topalli, Nënkryetare e PD:- “Në këtë projekt-buxhet zoti kryeministër, keni treguar se jeni vërtet profesionit i policisë dhe i pushtetit pa të ardhme. Me këtë ligj nuk i transmetoni ekonomisë asnjë mesazh të zhvillimit pozitiv. Makina politike burokratike ka penguar çdo gjë. Shifrat e këtij ligji dhe të politikës fiskale, s’kanë parasysh as rritje, as punësim, as zhvillim. Nuk e di kujt mund t’i drejtohem, po ku mund t’i gjej shifrat e thesarit të zhdukur? A mund t’iu pyes, ekonomia jonë e çorientuar, a lejon të llogarisim sa është humbja totale e investimit në kontrabandë”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame