Në seancën e dytë parlamentare të kësaj legjislature, mazhoranca votoi me unanimitet Jozefina Topallin në postin e kryetares së Kuvendit. Një votim solid me 74 vota që në fakt është një rikonfirmim i zonjës Topalli në këtë detyrë.
“Morën pjesë 75 veta në votim nga të cilët 74 veta votuan po zgjedhjes së zonjës Jozefina Topalli, kryetare e kuvendit të Shqipërisë”.
Opozita, sikundër kishte paralajmëruar e bojkotoi edhe këtë seancë. Vetë kryetarja Topalli shprehu keqardhje që deputetet e kësaj force politike nuk pranuan të nderojnë votën e zgjedhësve socialist.
Jozefina Topalli: “Dy muaj më parë shqiptarët kanë folur dhe kanë folur qartë. Me 28 qershor shqiptarët kanë votuar dhe kanë vendosur të lirë. Ato kanë vendosur që sot ne të jemi këtu në këtë tempull të demokracisë për të udhëhequr jetën e vendit në 4 vitet e ardhshme. Shpreh keqardhjen që opozita nuk është sot në vendet e saj për të nderuar votën e qytetarëve socialist”.
Nisje te një faze të re e ka quajtur kryeparlamentarja Topalli fillimin e kësaj legjislature, me një parlament e një mazhorancë qeverisëse në shërbim të kombit, siç u shpreh ajo.
Jozefina Topalli: “Sot nuk nis vetëm një legjislaturë e re, fillon një fazë e re. Shqipëria është një ndër vendet me demokraci të re, shumë gjëra mund të duken të veçanta. Edhe koalicion i ri që është vendosur e po votohet, është një fazë e re e rritjes së demokracisë e vendosur nga shqiptarët. Fillon një fazë e re i bazuar një koalicioni që lindi për t’i shërbyer stabilitetit të kombit të vendit, si deputet kësaj legjislature të re ne ndihemi shumë të nderuar sepse vijmë nga zgjedhjet me pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve… nuk ka hije dyshimi nga asnjërën prej mandateve e kjo e bën parlamentin më të fort, e bën institucionin primar të vërtetit e të vërtetëve”.
Në fillim të punimeve, Komisioni i Vlerësimit të mandateve i vlerësoi të 140 mandatet e rinj si të vlefshëm. Pas procesit të verifikimit të 75 deputetet e pranishëm në sallë bënë edhe betimin që u lexua nga drejtuesi i seancës, Fatos Beja. Deputetët socialist do t’i nënshtrohen kësaj procedure në seancën e parë që do të jenë të pranishëm. Mospjesëmarrja për një periudhe 6-mujore ua bën atyre të pavlefshëm mandatin e marre me 28 qershor. Nga opozita aktuale u betua vetëm kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili nuk e mbështeti aleatin e ri Rama, në vendimin e tij për bojkotin e parlamentit./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami