Pas një debati të stërzgjatur dhe kundërshtimeve të ashpra të opozitës maqedonase, parlamenti i Maqedonisë mbrëmë vonë ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Kosovën. Marrëveshja u ratifikua me votat e 72 deputetëve kurse 11 ishin kundra.

Përfaqësuesit e partive shqiptare përshëndetën ratifikimin e kësaj marrëveshje duke e vlerësuar si një hap të mëtutjeshëm drejt forcimit të  marrëdhënieve mes dy shteteve.

Xhevat Ademi: “Sot ne përmbyllim një çështje që tash thuajse 10 vjet ngarkon ambientin tonë politik. Qeveria e Maqedonisë dhe partneri ndërkombëtar i saj me sukses menaxhojnë një operacion që shënon vijë kufiri brenda të njëjtit popull.”

Imer Selmani: “Unë përuroj të dy qeveritë, përuroj veçanërisht  parlamentin e republikës së Kosovës i cila pati guximin edhe pse me një debat konstruktiv, por e votoi, miratoi këtë ligj.”

Mirëpo opozita maqedonase akuzoi qeverinë se me këtë marrëveshje i ka dhuruar Kosovës një pjesë të territorit të Maqedonisë andaj kërkoi që ratifikimi i saj të bëhet përmes referendumit.

Igor Ivanovski: “Nuk kemi demarkacion etnik të kufirit, por ndryshim të tij dhe për këtë çështje duhet ët organizojmë referendum për tu deklaruar qytetarët.”

Edhe më larg shkoi Partia Liberal Demokrate e cila parashikoi se ligjin për ratifikimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Kosovës do ta ankimojë para gjykatës kushtetuese.

Nga Shkupi për tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al