Oferta e Ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic, për pjesëmarrje të ish republikave jugosllave në përgatitjen e samitit të vendeve të painkuadruara që në vitin 2011 do të mbahet në Beograd, si duket ka shkaktuar përplasje në koalicionin qeverisës në  Maqedoni.

Burime qeveritare për TV Klan njoftojnë se Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti shqiptare në pushtet ashpër kundërshton këtë ofertë, kurse VMRO-DPMNE hamendet nëse ajo duhet të pranohet ose jo.

Në kabinetin e Ministrit të Jashtëm, Antonio Milloshovski, konfirmojnë se kanë marrë ofertën prej ministrit serb Jeremic dhe thonë se nuk shohin asgjë të keqe në këtë ofertë.

Mirëpo në BDI ashpër kundërshtojnë këtë ide, duke vlerësuar se pranimi I sajë do të ishte kthim mbrapa për Maqedoninë.

Rafiz Haliti: “Mendoj se republika e Maqedonisë ka investuar dhe është duke investuar, ka … rrugën që të jetë pjesë e NATO-s. Kështu që mendoj se nuk kemi nevojë si vend të kthehemi mbrapa atje ku ishim para 20 vjetëve.”

Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, as nuk konfirmon e as nuk demanton informatat se oferta e Jeremicit ka shkaktuar përçarje në koalicion.  

Rafiz Haliti: “Unë nuk kam njohuri cili është qëndrimi i partnerëve tanë të koalicionit. Flas si vend si shtet, si vend ne duhet të ecim papara dhe Maqedonia sa më shpejt të integrohet në NATO.”

Deri tani ofertën e Jeremicit e kanë pranuar Bosnja dhe Mali I Zi, kurse mundësi për pranimin e sajë ka paralajmëruar edhe Kroacia.

Maqedonia prej pavarësimit të sajë nuk merr pjesë në organizatën e vendeve të painkuadruara, mirëpo analistët politik kanë akuzuar pushtetin aktual se po e zhvendosë Maqedoninë nga kursi pro NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në drejtim të organizatës së vendeve të painkuadruara.

Këto vlerësime posaçërisht u intensifikuan pas zgjedhjes së presidentit të ri Georgi Ivanov, i cili më herët haptazi është angazhuar për anëtarësim të Maqedonisë në Organizatën e vendeve të painkuadruara. 

Nga Shkupi për Tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al