Me 68 vota, pro 6 kundër dhe 3 abstenim parlamenti miratoi në seancën e radhës, ngritjen e një komisioni  hetimor që do të ketë si objekt të punës së tij dhënien e lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës. Në këtë mënyrë mazhoranca konkretizoi nismën e paralajmëruar pak ditë më parë, për hetimin e aferave që sipas saj implikojnë direkt kreun e bashkisë Edi Rama.

Ferdinand Xhaferri: “KRT-ja e bashkisë së Tiranës nën drejtimin e zotit Rama është shndërruar në një monopol që i shërben një grushti njerëzish që merr vendime në konflikt të hapur interesi. Prej gati 10 vitesh në mënyrë të qëllimshme ai ka pohuar hartimin e planit të ri rregullues i cili do të disiplinonte hapësirat urbane dhe do të ndërpriste masakrën urbane të dirigjuar prej tij. Ky është rasti më flagrant i konfliktit të interesit në historinë 7 mijë vjeçare të institucioneve të shtetit shqiptar. Për këtë qëllim deputetët propozojnë krijimin e komisionit hetimor për hetimin e dhënies së lejeve të nderimit në bashkinë e Tiranës në mënyrë abuzive, klienteliste dhe në konflikt të hapur interesi për vitin 2007 dhe në vazhdim.”

Opozita socialiste edhe pse nuk mori pjesë në votim, e quajti ngritjen e këtij komisionit një përpjekje për të hedhur baltë mbi kryetarin e partisë Socialiste duke shkëputur kështu vëmendjen nga problemet me të cilat po përballet vendi.

Blendi Klosi: “Mendoni se do fitoni duke hedhur baltë mbi Edi Ramën dhe bashkinë e Tiranës. Po ua them me bindje, e kemi thënë kudo po e them dhe në këto momente. Arsyeja pse do të fitojmë është modeli i qeverisjes së bashkisë së Tiranës dhe i Edi Ramës kryeministër. Arsyeja pse do të fitojmë është mbështetja që i jep i gjithë populli ndryshim, një ndryshim që në fund të fundit vjen për më shumë dinjitet për qytetarët shqiptarë.”

Tashmë në pozitat jo vetëm të kryetarit të bashkisë por edhe të kreut të partisë Socialiste, Edi Rama do të përballet për herë të dytë me akuzat e demokratëve për korrupsion dhe abuzim me lejet e ndërtimit. Më parë në vitin 2003 kryebashkiaku u vu në qendër të një tjetër komisioni hetimor që pati si  objekt shpërdorimin e fondeve publike në bashkinë e kryeqytetit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro