Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Sesioni i 6-të i legjislaturës hapi siparin gjatë pasdites me debatin për tragjedinë e Vlorës. Ashtu si dhe në byronë parlamentare, pozita dhe opozita kërkuan që të drejtojnë komisionin hetimor.
Jozefina Topalli:- “Në qoftë se keni hetuesinë, keni prokurorinë, keni policinë, keni SHIK-un, keni SHIU, keni Presidentin, keni qeverinë, ore zotëri, ne tjetër përveç komisioneve hetimore nuk kemi dhe në qoftë se ka një kuptim opozita në parlament, kuptimi i saj është për t’ju ndjekur ju në gabimet tuaja”.
Gaqo Apostoli:- “Dua të them edhe njëherë, që nga pikëpamja ligjore, nuk ka asnjë pengesë juridike, që mazhoranca të ushtrojë të drejtën e drejtimit të një komisioni parlamentar kur ajo merr iniciativë, për arsye sepse ka ndarje pushtetesh”.
Bamir Topi:- “Si mik po të them, mund të kesh një simptomë amnezie këto ditë, sepse mos harro që zoti Nano ju mblodhi pasi u kthye nga Turqi. Ndërsa tragjedia ndodhi kur zoti Nano ishte ende atje. Trupat u varrosën kur zoti Nano ishte ende atje”.
Deputeti demokristian Nikollë Lesi, kërkoi në Kuvend që të rishikohet nga mazhoranca socialiste çështja e ngritjes së komisiononit hetimor, për aksidentin në Shkallnur. Kjo kërkesë u mbështet nga PD.
Nikollë Lesi:- “Është rrëzuar padrejtësisht nga mazhoranca, me një argument sipas mazhorancës, që është për një çështje hetimore që merret prokuroria. Po komisioni parlamentar, që me të drejtë kërkohet për çështjet e tragjedisë së Vlorës, a është çështje në hetim edhe kjo”?
Sali Berisha:- “I janë ofruar deputetit Lesi, me dokument me shkrim 500 mijë dollarë, për të mbyllur problemin. Zoti kryetar, mund të them, se në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë në botë që të pengojë, të bllokojë Kushtetutën, në këtë nen. Kemi paraqitur kërkesën, nuk e kemi paraqitur përpara i nderuar kryetar, sepse për hir të së vërtetës nuk kemi pasur dëshmitarë”.
Meqenëse kryetari i Kuvendit e rrëzoi kërkesën m argumentimin se është diskutuar më parë, lideri socialdemokrat Skënder Gjinushi propozoi që kjo çështje t‘i kalojë Gjykatës Kushtetuese./tvklan.al
Gazetare – Arta Tozaj