Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ministrat e kabinetit Meta, Muçi, Fino, Angjeli e Legisi, i kanë konsideruar spekulime politike dhe shifra të pasakta rezultatet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të paraqitura në parlament nga kryetari Kërçuku. Sipas kryekontrollorit Mustafa Kërçuku, janë 13 miliard lekë humbje në buxhetin e shtetit.

Mustafa Kërçuku, Kryetari i KLSH:- “Në vitin 2000 nga ky raport janë konstatuar 1.47 miliard lekë shkelje. Pra ka një ulje të theksuar”.

Në emër të kabinetit Meta, Ministri i Shtetit Ndre Legisi tha, se raporti i KLSH ka pasaktësi dhe gabime, por në rast se shkeljet provohen atëherë ky institucion duhet t’i drejtohet prokurorisë.

Ndre Legisi:- “Në pasqyrën përmbledhëse të raportit të KLSH-së, paraqitet evidenca e plotë e shpenzimeve dhe në kolonën numër 7 dëmi financiar, që është afërsisht 7.9 miliard lekë, ndërsa në një kolon tjetër jepet se kjo shumë i përket 261 milion lekë, të vitit që raportohet. Për të vërtetuar se sa i përket përgjegjësi kësaj qeverie në këtë material, po citojë një paragraf të këtij raporti, ku thuhet se prapambetjet e vitit 1995 po i paguajmë ne sot”.

Ministritë që rezultojnë me më shumë shkelje në raportin e KLSH, janë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Privatizimit, Ministria e Rendit, Ministria e Mbrojtjes etj./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame