Shtyhet miratimi i projektligjit për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronave. Parlamenti ka rinisur punimet pikërisht në sherrin e ndërprerë në seancën e kaluar.

Sali Berisha: “Një vrasës i vjetër që shëmbëllen me halenë e Fatos Nanos në kolltukun e kryetarit të Parlamentit, e drejtonte parlamentin me tytën e vrasjes, e drejtonte parlamentin me tytën e vrasjes.”

Servet Pëllumbi: “Zoti Berisha, zoti Berisha, zoti Berisha të pres fjalën për fyerjen që bëtë. Ulu aty! Nuk lejohen përdorime fjalorësh të tilla, nuk përdoren në parlament, nuk përdoret për fjalorë të tillë parlamenti. Ai që e quan hale parlamentin, hale kryetarin të ulet atje në vend!”

Deputeti socialist Taulant Dedja kërkoi nga kryetari i Kuvendit që të respektojë rregulloren për fjalorin e përdorur nga opozita në Kuvend, përndryshe deputetët e mazhorancës nuk do të marrin më pjesë në seancat parlamentare në vazhdim, sipas tij. Kjo kërkesë është pasuar nga akuzat e nënkryetarës demokrate të Kuvendit Jozefina Topalli.

Jozefina Topalli: “Dy vjet përpara ai zotëria ishte në krye të operacionit, kur na ka majt tre çerek ore mu dhe ish-presidentin e Republikës të rrethuar me 300 njerëz të armatosur që në çdo moment doshin të qëllojshin ndaj nesh dhe pastaj na çutë na përfunut në komisariat. S’ta kam përmen asnjëherë se s’më pëlqen të merrem me të kaluarën. E dytë, zotëri, je ti që ke shumë probleme me vrasjen e Azem Hajdarit se ti e di se në çfarë pozicioni ke ken në at periudhë dhe do të mjaftoshin këto të dyja që të mbyllshe gojën një herë e përgjithmonë dhe të na e dishit për faleminderit që s’ti kishim përmend ndonjëherë.”

Taulant Dedja: “Një herë janë shprehur që i ka drejtu Ilir Gjoni, një herë janë shprehur që i ka drejtu Niko Brahimi, njëherë janë shprehur që i ka drejtu Ilir Meta, sot doli që i paska drejtu Taulant Dedja. Për sa i takon çështjes së të ndjerit Azem Hajdari, unë jam i vetmi politikan së bashku me zotin Genc Pollo që kam shkuar kam dëshmuar sa herë ka patur nevojë drejtësia, kam qënë dhe në gjyq dhe kjo është një çështje e mbyllur dhe unë i them atij zotërisë atje në krahun tjetër që prapa dhëmbëve përmend fjalën vrasës, i them vetëm kaq i nderuar zotëri, midis meje dhe teje ka një ndryshim shumë të madh, atë e quajnë Sali Ram Berisha, kurse mua më quajne Taulant Bedri Dedja. Ai është rritur ke “lugina e ujqërve”, kurse unë jam rritur midis librave. Ju faleminderit zoti kryetar!” /tvklan.al