Me 125 vota pro, Parlamenti vendosi që 8 marsi të jetë data kur deputetët e mazhorancës dhe opozitës, do të marrin në shqyrtim nismën e depozituar nga selia rozë për një ndryshim në ligjin për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore.
Në mënyrë unanime u vendos që shqyrtimi i amendimeve të bëra nga deputetët e selisë rozë duhet të përfundojë brenda një jave, për të vijuar më pas me diskutimin e tyre në seancën plenare të datës 18 Mars, por më herët gjithçka kaloi përmes një debati.
Ashtu siç ishte rënë dakord dhe gjatë paradites grupi kuvendor i socialistëve u paraqit në sallë pak minuta para votimit të nismës së tij.
Në fjalën e tij z.Ruçi, duke e vënë theksin tek hapja e kutive të votimit, pretendoi nëpërmjet disa fakteve sikundër tha, manipulimin që sipas tij është bërë me kartat e identitetit më 28 Qershor, ndonëse nuk bëri publik emrat e personave nëse ata ishin socialistë apo demokratë.
Gramoz Ruçi: “Rasti i Ruzhdies nuk është një rast i izoluar. Më lejoni që në këtë seancë t’ju paraqes juve dhe opinionit publik shqiptar një provë tjetër. Shikoni këtu kemi dy karta identitet fallco, një zonjë nga Tropoja të përdorura në zgjedhjet me kartat tuaja të identitetit. Nuk është vetëm Ruzhdie dhe vetëm Tropojë, urdhëroni këto zotërinj me dy karta identiteti në Dibër. Nuk mjaftojnë dy, shikoni këtë zotërinë tjetër me tre. Ke këtu në Tiranë që dy herë është në Korçë dy herë në Tiranë, i njëjti njeri me katër”.
Në kundërpërgjigje të qëndrimit të z.Ruçi kryeministri Berisha i ka kërkuar kreut të Grupit Kuvendor të Socialistëve që t’i çojë ato që ai i cilëson fakte në organin e akuzës.
Sali Berisha: “A ishin patenta apo ishin nga ato kartat e sigurisë që me merren nëpër konferenca kur shkon të nxjerrin dhe do ta japi një për t’u futur, apo ishin falsifikime të kartave të identitetit. Ajo çka e ftoj unë z.Ruçi të gjitha këto i paraqisni në prokurori, por të paraqesë pseudo fakte këtu, në një kohë kur Shqipëria vlerësohet për viza. Ka një qëllim fare të mbrapshtë, ka një qëllim të nxish një sistem që sot është i teknologjisë më të lartë në Evropë dhe është e thjeshtë kur shëtit vet me pasaportë diplomatike t’i bësh këto. Nuk duhet luajtur në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast me problemin e vizave. Një mesazh më thotë, se ato janë fletëhyrje në kazinonë Reagensi, nuk e di se skam qenë ndonjëherë në atë kazino, po ky që më thotë është ky, ta mbajë për vete këtë që është apo s’është”.
Por në rast të mos depozitimit të fakteve që nesër në prokurori të cilat sipas opozitës dëshmojnë krimin elektoral, atëherë organi i akuzës duhet të hapë menjëherë hetimet. Gjatë
debateve z.Ruçi i ka kërkuar kreut të mazhorancës që të ofrojë vullnet politik lidhur me nismat e Selisë Rozë.
kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli i kanë kujtuar këtij të fundit se në emër të kujt ligji i drejtonin protestat përpara Kryeministrisë për hapjen e kutive të votimit.
Gramoz Ruçi: “Ajo që paraqita unë nuk janë patenta z.Berisha, janë karta identiteti. Kriza është politike, nuk zgjidhet me mllefe, nuk zgjidhet me procedura të zvarritura, ajo zgjidhet me vullnet politik”.
Sali Berisha: “Çfarë do ti thoni ju zgjedhësve që i keni prurë para kryeministrisë për të protestuar hapni kutitë kur s’paske pasur ligj”.
Jozefina Topalli: “Po pse proteston ti gjatë muaj rresht kur nuk ka ligj dhe Kushtetutë që pranon atë kërkesë? Po a mendoni që të paktën t’i kërkoni të falur atyre socialistëve që i keni gënjyer 6 muaj rresht?”
Në seancën plenarë të së enjtes parlamenti votoi dhe dy propozimet e grupit kuvendor demokrat që kishin të bënin me përshtatjen e rregullores për Nënkryetaren e Parlamentit, duke i shtuar dhe një opozitës, si dhe përcaktimin e shumicës në komisionet parlamentare të përhershme.
Gjithashtu u kalua dhe propozimi i grupit kuvendor socialist pas depozitimit të listës së anëtarëve në komisionet parlamentare./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro