Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Projektligji për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, u votua në Kuvend pa prezencën reale të deputetëve që parashikon ligji kuvendor pre 71 deputetësh. Përveç bojkotimit të seancës nga deputetët e opozitës u larguan dhe deputetët Braho, Legisi e Brokaj, por në tabelën e elektronikës këta deputetë figuronin sikur të ishin prezentë, madje të tjerë votonin për ta.

Gjatë zhvillimit të seancës, Braho ka qenë i ulur në rreshtin e parë të tavolinave, ndërsa përpara se të fillonte votimi ai u largua, por Nazmi Bilani votonte për të, gjë që e tregon drita jeshile në tabelë. Po kështu ndodhte me Ndre Legisin e Sabit Brokajn. Ne kontaktuam me Brahon në linjë telefonike, nëse kishte autorizuar dikë për votën e tij, gjë të cilën ai e mohoi dhe e quajti, skandalin e radhës së deputetëve socialistë.

Projektligji kaloi me votën pro të deputetëve dhe një votë abstenim nga Zydi Pepa. Zëvendëskryeministri Namik Dokle, nuk e cilësoi më të mirën skemën për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë të paraqitur nga qeveria, por sipas tij, mundësitë vareshin nga buxheti.

Namik Dokle: “Unë mendoj që edhe përsa i përket skemës që ne kemi paraqitur, nuk është skema më e mirë, por kuptohet, që ne kemi paraqitur një skemë të mundësive reale. Ne themi që të shtojmë edhe një skemë, plus, pra një trajtim social i veçantë, i kësaj shtrese, që është me pagesën shtesë në çdo muaj për secilin grup nga ndarja që i është bërë në bazë të viteve të burgut. E rëndësishme është që kjo skemë do të funksionojë në vazhdimësi, nuk do të ndërpritet asnjëherë, por do të vazhdojë dhe natyrisht me rritjen e mundësive në të ardhmen edhe mund të bëhen indeksime, si edhe për skemat e tjera sociale”.

Arben Malaj: “Unë do të deklaroj që nuk mund të jemi gati për të rënë dakord në dy dallime kryesore, flitet për kompensim për ditë burgu dhe qeveria flet për një asistencë që është suplementare mbi gjithë të ardhurat që ata realizojnë. Të gjithë ata që kanë këtë status të të burgosurve politikë, duhet të përfitojnë këto mbështetje mujore, ata ose trashëgimtarët e tyre, pra edhe në kohë do të ketë një korrigjim. Në këtë aspekt u tentua disa herë për të gjetur një zgjidhje”.

Projektligji i ish-të dënuarve politikë u diskutua me debate të ashpra, ku seanca është ndërprerë herë pas here./tvklan.al