Demokracia Sociale do të dalë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me Partinë Socialiste.

Milo i ka dhënë fund të gjitha hamendjeve nëse do t’i bashkëngjitej socialistëve apo Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme dhe këtë e ka bërë gjatë kongresit të dytë të forumit rinor të partisë së tij.

Paskal Milo: “I autorizuar nga kryesia qendrore e partisë në mënyrë unanime pas mbledhjes së saj të fundit më lejoni të deklaroj këtu në kongresin e rinisë Demokracia Sociale se Partia Demokracia Sociale ka vendosur të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me Partinë Socialiste dhe me forcat e tjera të majta dhe progresiste.”

Pas vendimit të Milos të mirëpritur, por jo të papritur për selinë rozë, kryetarja e grupit të ligjvënësve të socialistëve, Leskaj, ka deklaruar se ftesa për përfshirjen në koalicionin e majtë mbetet në fuqi edhe për partitë e tjera.

Valentina Leskaj: “Ky koalicion përputhet me atë filozofi që ka shpallur Partia Socialiste me kohë, e cila ka bërë thirrjen dhe kontributin për një bashkim të madh, pra Partia Socialiste e ka shpallur me kohë dëshirën për bashkëpunim dhe për t’iu bashkuar një koalicioni të madh, një koalicioni të madh që iu shërben qytetarëve dhe jo partive politike.”

Aktualisht partia më e madhe opozitare ka mundur të afrojë rreth vetes për të dalë në koalicion në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, partinë e Gjinushit dhe atë të Milos, ndërsa Meta mbetet i vendosur për të mos bashkëpunuar me socialistët pas ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit.

Mbetet ende për t’u parë qëndrimi i Cekës, pavarësisht se zhvillimet e fundit politike e kanë pozicionuar më pranë koalicionit të djathtë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka