Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit nuk përmbush kriteret profesionale, për të drejtuar një institucion si TOB. Ajo është një shërbëtore e papërgjegjshme stafit drejtues të bashkisë së Tiranës”.

Kështu ka deklaruar sot gjatë një konference për shtyp, drejtori i departamentit të Artit dhe Kulturës në PD, Agron Xoxa, duke iu referuar akuzave të Zana Çelës, drejtoreshës së TOB, lëshuar në adresë të komisionerëve opozitar, të komisionit parlamentar Rama dhe krejt selisë blu.

Xoxa është shprehur përpara gazetarëve, se nuk është hera e parë, që Çela e këshilluar nga tutorët e saj, kërkon që problemet e saj ligjore t’i kthej në probleme politike. Sipas ti, drejtimi i TOB nuk ka të bëjë aspak me çështje politike dhe mbështetja që i bëhet asaj për t’i futur akuza në këtë proces, nga dishepujt e saj është një projekt krejtësisht i kotë.

Agron Xoxa:- “Departamenti i Art-Kulturës, nuk i lidh artificialisht sukseset e një teatri, të artistëve të tyre, e spektakleve të veçanta, si opera “Norma”, apo baleti “Katedralia e Parisit”, të realizuara gjatë kësaj periudhe, si suksese të stafit drejtues, por e sheh punën e drejtuesve nëpër institucione, në kuadër të përgjithshëm, duke bërë bilance e krahasime profesionale. Në këtë pikëvështrim, e nënvizojmë jashtë publicitetit të jashtëzakonshëm mediatik, të cilin ajo di ta bëjë me të vërtetë shumë mirë. Puna në këtë institucion, siç detyrohet ta pranojë dhe vetë ministrja e Kulturës ka pasur të meta të mëdha në drejtimin artistik dhe në atë të kuadrit ligjor”.

Drejtori i departamentit të Artit dhe Kulturës në PD, ka akuzuar drejtoreshën e TOB, se gjatë drejtimit të këtij institucioni ka dëmtuar rëndë kolektivet artistike. Akuzat dhe kundër akuzat mes Zana Çelës dhe selisë blu, lindën kur kryetari i komisionit hetimor parlamentar Rama, Sokol Olldashi akuzoi Çelën se ka abuzuar me fondet që i janë dhënë për organizimin e koncertit ndërkombëtar operistik “Marije Kraja”, si në periudhën kur Edi Rama ka qenë ministër kulture dhe në këto tre vjet që ai drejton bashkinë e Tiranës./tvklan.al