Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në këtë atmosferë festive çelet fushata e Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve. Në podium janë ngjitur me radhëtë gjithë kandidatët demokratë për kryebashkiak në të gjithë vendin.

Në emër të të gjithë kandidatëve ka mbajtur fjalim konkurruesi për bashkinë e kryeqytetit avokat Spartak Ngjela. Platforma e Ngjelës bazohet në katër pika, varfëria, tregu, decentralizimi e zhvillimi urban dh kultura.

Spartak Ngjela:- “Ne bashkë kemi bërtitur dhe jemi gëzuar për rënien e murit të Berlinit. Ne bashkë jemi përleshur, kemi fituar dhe jemi gëzuar me rënien e bustit të diktatorit dhe shkallmimin e sheshit diktatorial. Ne kemi rrëzuar një diktaturë dhe do të rrëzojmë dhe një mijë të tjera, deri sa të kem jetën”.

Kanë përshëndetur nisjen e fushatës edhe aleatët e Partisë Demokratike. Kryetari i Bashkimit Liberal Teodor Laço dhe republikani Fatmir Mediu. Ka mbyllur festën e demokratëve lideri i opozitës Sali Berisha.

Sali Berisha:- “Eja me ne, t’i japim fund shkretimit të pandërprerë të Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare, eja me ne, sepse ne besojmë se Shqipëria nuk është vend i mallkuar, në të kundërt ajo është një vend i bekuar, por që sot më shumë se kurrë, ka nevojë për pak më shumë dashuri për pak më shumë dhembshuri, për pak më shumë ndershmëri nga çdo qytetar i saj. Dhembshuria, dashuria, ndershmëria janë forcë dhe jo dobësi dhe ta duam ne më shumë vendin tonë. Eja me ne, se unë dhe ti se të gjthë ne së bashku përveç Shqipërisë nuk kemi vend tjetër ku mund të jetojmë. Zoti i bekoftë qytetarët shqiptarë, Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

Fushata do të vazhdojë intensivisht për 40 ditë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve vendore më 12 Tetor./tvklan.al