Lajme Arkiva 2003

Partia Demokratike do të fillojë javën e ardhshme një tur parazgjedhor në të gjitha zonat elektorale të vendit. Axhenda është përcaktuar në selinë qendrore të Partisë Demokratike gjatë një mbledhje të kryetarit Sali Berisha me drejtuesit e degëve dhe nëndegëve të saj në bashki dhe komuna.

Takimet janë konceptuar në formant e bisedave me qytetarët rreth shqetësimeve të tyre para zgjedhjeve lokale të tetorit. Në dokumentin e miratuar gjatë kësaj mbledhje shkruhet se temat që do trajtohen nuk do të jenë tërësisht elektorale, por do të flitet edhe për problemet e evidentuara nga realitetet e përditshme si dhe nga konstatimet e institucioneve ndërkombëtare.

Këto takime që llogariten rreth 100 do të drejtohen nga 4 grupe pune të kryesuar nga kreu i demokratëve Sali Berisha, sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode dhe nga dy kryetarët Bamir Topi dhe Jozefina Topalli.

Turi i demokratëve synon të mbulojë  të gjithë vendin dhe është parashikuar të zgjasë deri më datën 10 qershor./tvklan.al