Mazhoranca është gati për ngritjen e një komisioni parlamentar që do të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, propozim i bërë publik ky një ditë më parë nga shefi i selisë rozë, Edi Rama.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, duke vlerësuar si legjitim dhe të arsyeshëm propozimin e Ramës deklaron se demokratët janë pro ngritjes së një komisioni bipartizan në funksion të ecurisë së procesit parazgjedhor.
Astrit Patozi: “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka pasur asnjë hezitim, madje e ka mirëpritur nismën e Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme janë prioriteti jonë absolut. Po të ishte thjesht dhe vetëm në dëshirën tonë ne sigurisht mund të lejonim që ky komision të ngrihej vetëm, të formatohej vetëm me përfaqësues të opozitës pasi nuk kemi asnjë dyshim që ky proces ashtu siç po shkon normalisht do të përfundojë i tillë, pra pa probleme, por parlamenti ka disa rregulla dhe duke pasur parasysh këto rregulla, duke pasur parasysh traditën parlamentare, por edhe duke pasur parasysh faktin që kjo është një çështje me interes të përbashkët ne jemi plotësisht dakord që ky komision të ngrihet në formatin e kërkuar nga opozita, por me kryesimin e dy bashkëkryetarëve, një përfaqësues nga mazhoranca parlamentare dhe një përfaqësues nga opozita parlamentare”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka