Lajme Arkiva 2003
Partia Republikane e Shqipërisë ka çelur sot fushatën e saj elektorale për zgjedhjet lokale të 12 Tetorit. Përpara elektoratit të saj kjo parti ka prezantuar kandidatët e saj të përbashkët me Partinë Demokraike për postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit dhe njësitë bashkiake. Në fjalën e tij kryetari i Partisë Republikane Mediu rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e tij për kandidatin e Partisë Demokratike të Tiranës Spartak Ngjela.
Ne republikanët dhe demokratët duhet të drejtojmë vendin drejt së ardhmes ka thënë në fjalën e tij Medi.
Fatmir Mediu: Mbi të gjitha Partia Republikane dhe e djathta nuk ka vetëm ide, por edhe njerëz të mrekullueshëm që ti realizojnë këto ide siç janë kandidatët për minibashkinë dhe kryetari i bashkisë së ardhshme të Tiranës, kryetari i famshëm, avokati i njohur Spartak Ngjela. Ne jemi një shoqëri vlerash. Familja jonë ka vlera të pakrahasueshme, por ajo që nuk i ka këto vlera dhe i synon çdo ditë është qeveria socialiste.
Ndërsa kandidati për Bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela ka theksuar në fjalën e tij se në një betejë elektorale çdo mbështetje është e vlefshme, por mbështetja e aleatëve do të thotë sukses. Edhe njëherë përpara republikanëve Ngjela ka shpalosur platformën e tij elektorale, ku ka theksuar 4 pikat kryesore. Varfërinë, tregun, zhvillimin urban dhe decentralizimin dhe kulturën.
Spartak Ngjela: Varfëria është burimi i të këqijave. Nuk mund të bisedohet dhe të flitet për liri në mjerim dhe nuk do të kishte fare nevojë të kërkohej liri brenda një gjendje e cila tenton jo nga varfëria në mirëqenie por nga varfëria në mjerim./tvklan.al