Koalicioni qeverisës për integrim është në krizë. Këtë e pohojnë aleatët e Partisë Socialiste ndërsa kundërshtojnë pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Parlamentar PS-PD.
“Koalicioni për Integrim nuk po jep ato fryte me të cilat ishte parashikuar si në marrëveshjen kuadër apo dhe në marrëveshjen bilaterale PS-PSD, për arsyen sepse mazhoranca socialiste, lidershipi i saj mjaftohet vetëm me ceremoninë e nënshkrimit të deklaratave dhe pastaj vepron me gallomaninë që e karakterizon gjithmonë. Në këtë situatë nuk mund të vazhdojmë më kështu, socialistët duhet të korrigjojnë sjelljen e tyre ndaj partnerëve në aleancë, në koalicion dhe sidomos ndaj partnerit kryesor që konsiderohet me madhështi boshti i koalicionit, por jo të kërcënojnë, të shpifin nëpërmjet organit të tyre kur socialdemokratët mbajnë qëndrime të prera qoftë për shkeljet kushtetuese që vihen re në ngritjen e komisionit parlamentar. Përderisa kemi ministrin tonë në qeveri, neve po mundohemi ta shpëtojmë Partinë Socialiste nga plehrat, si nga ndotjet urbane ashtu dhe nga ndotjet e politikës.”
“Ajo që ka dështuar është marrëveshja që bëri Partia Socialiste me PD-në, jo marrëveshja e aleatëve.”
Partia Agrare Ambientaliste kërkon që Partia Socialiste të reflektojëpër qëndrimin e saj si dhe të zhvillohet tryeza urgjente e koalicionit, sepse marrëdhëniet nuk janë aq rozë sa duken, sipas deputeti Preka. Ndërkohë partia qeverisëse shmang përgjegjësitë duke deklaruar se koalicioni nuk është në krizë. Megjithatë mbledhja e kryesisë socialiste pasditen e së enjtes do tëpërcaktojë qëndrimin ndaj aleatëve.
Bardhyl Agasi: “Koalicioni nuk është prishur. Koalicioni do të vzhdojë. Natyrisht ne u njohëm edhe dje me këto që kanë kërkesat e partive të vogla. Flitet për një hap të dytë. Sidoqoftë ne kemi një mbledhje kryesie partie ditën e enjte dhe natyrisht do të jetë edhe për këtë situatë.” /tvklan.al