Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Prokuroria të hetojë dhe zbardh ngjarjen e Lazaratit. Këtë e ka kërkuar sekretari i marrëdhënieve me publikun në PS Agasi, si dhe të ndërhyet ndaj veprimeve të paligjshme të kultivuesve dhe trafikantëve të drogës në Lazarat.

Bardhyl Agasi: “Partia Socialiste ndërkohë kërkon, që prokuroria të zbardh ngjarjen dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore, elementët që kryen këtë krim. Ne besojmë dhe përkrahim angazhimin e madh të Ministrisë së Rendit dhe të policisë shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë dhe me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut dhe drogës”.

Ndërsa prokuroria konfirmon se ka nisur hetimet. Sipas drejtorisë së luftës kundër krimit të organizuar në prokurori, por hetohen të dyja pistat, ajo e thënë nga Ministria e Rendit, se persona kanë qëlluar të parët mbi helikopterin dhe versioni i dhënë nga banorët e Lazaratit, se nga helikopteri është hapur zjarr mbi ta.

Sipas prokurorisë, oficerë të hetimit kanë arritur të marrin dëshmi në Lazarat, ndërsa në pyetje do të merren edhe personat që kanë qenë në bordin e helikopterit Interforce. Për këtë ngjarje po punon organi i akuzës në Gjirokastër dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Ngjarja e Lazaratit ka sjellë versione të ndryshme, Partia Demokratike pretendon se është qëlluar nga helikopteri në drejtim të banorëve, duke shfaqur edhe pamje filmike, ndërkohë që e kundërta paraqitet nga Ministria e Rendit. Në lidhje me materialet filmike organi i akuzës nuk ka marrë ende ndonjë kasetë filmike si provë materiale, por kjo pritet të realizohet në ditët që vijnë./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti