Partia Socialiste në vazhdën e sulmeve kundër çdo vendimi apo ligji që miratohet në Shqipëri, sulmoi dhe një ligj që ka të bëjë me pagesën e trojeve shtetërore, mbi të cilat janë ndërtuar fshatrat turistike.
Historia e këtyre fshatrave nisi dhe përfundoji në vitet e qeverisjes socialiste, në vitin 1997- 2005, ku u ndalua dhënia e tokës nga shteti për resortet turistike. Këto fshatra u ndërtuan për zhvillim turizmi, por destinacioni i tyre u ndërrua nga investitorët, duke shitur këto vila qytetarëve të ndryshëm. Ndërkohë që vilat u shitën trualli vazhdoi të jetë shtetëror dhe vazhdon të jetë i tillë.
Ajo që synon ligji i kësaj qeverie është që disponuesit e këtyre vilave, t’i paguajnë shtetit vlerën e truallit të vilave të tyre. Veprimi më normal që mund të bëjë shteti në këtë rast, është të arkëtojë paratë e një prone publike, që sot përdoret nga qytetarët për vila private. Ky veprim mëse normal u sulmua nga Partia Socialiste, se po bëhet për qëllime përfitimi të disa ministrave të kësaj qeverie.
Është krejtësisht absurde të konsiderosh përfitim një detyrim për t’i paguar shtetit para. Përfitimi i këtyre ministrave apo i kësaj qeverie do të ishte, nëse truallin shtetëror nuk do t’ua shiste me çmim tregu këtyre individëve, por do t’jua dhuronte pa shpërblim. Përfitim do të konsiderohej nëse, kjo qeveri do t’jua lejonte këtyre individëve ta gëzoni truallin shtetëror, të dhuruar nga qeveritë socialiste, ta përdornin edhe më tej pa paguar para që detyrohen shtetit.
Partia Socialiste po e bën këtë gafë për një qëllim tjetër, për të treguar se në këto fshatra turistike, kanë vila disa ministra apo personazhe të tjerë të politikës e medias.
Socialistët pa mandat, Taulant Balla dhe Erjon Braçe po harxhojnë kohë televizive për t’u thënë shqiptarëve, se Genc Ruli ka një vilë që faktikisht, e ka blerë para se PD të vijë në pushtet, por nuk tha që ngjitur me të ka edhe Bashkim Fino. Ai përmendi dhe Lulzim Bashën, por fshehu Pandeli Majkon, Arben Ahmetaj, Artan Lamën, Ermelinda Meksin, Fatmir Toçin, Ledi Shamkun Shkrelin e shumë të tjerë.
Vila në bregdet kanë blerë si të majtë dhe të djathtë, ish ministra e ministra, deputet dhe gazetarë dhe kjo është një gjë krejtësisht normale, por të dalësh kundër detyrimit për të paguar pronën shtetërore, është të mbrosh abuzimin./tvklan.al