Socialistët kanë vendosur të bojkotojnë parlamentin për një kohë të pacaktuar.

Vendimi është marrë pas debateve të ashpra në mbledhjen e grupit parlamentar pasi një pjesë e deputetëve e kanë cilësuar vendimin të rrezikshëm për fatet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Edi Rama: “Grupi parlamentar ka vendosur që Partia Socialiste për të gjitha ato arsye dhe argumente që kemi bërë publike vijimësisht dhe që janë të shkruara e zeza mbi të bardhë në rezolutën e asamblesë dhe pastaj të kongresit të jashtëzakonshëm të ndërtojë një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë parlament. Ky parlament është një institucion me legjitimitet të cunguar për shkak se është produkt i një maskarade zgjedhore.”

Disa nga kushtet e propozuara nga kryetari në detyrë, Edi Rama, për kthimin e socialistëve dhe në parlament janë rinumërimi i votave në qarqet ku pretendohet se ka pasur manipulime, ngritja e një komisioni ad hoc që do të bëjë transparencën e zgjedhjeve, penalizimi i çdo personi që ka shkelur kodin zgjedhor, kthim në punë të të larguarve për shkak të presionit qeveritar, zbardhja e vrasjes së deputetit Xhindi dhe çlirimi i medias sipas Ramës nga censura qeveritare.

Duke patur parasysh deklaratat pozitive për zgjedhjet e 28 Qershorit të Olli Rehn raportin gjithashtu pozitiv të vëzhguesve vendorë Televizioni Klan pyeti Ramën nëse ai frikësohet nga një penalizim nga faktori ndërkombëtar pikërisht për shkak të këtij vendimi për bojkot.

Rama la të kuptohet se fatet e vendit janë më të rëndësishme se opinionet apo qëndrimet e ndërkombëtarëve.

Edi Rama: “Çdo faktor ka rolin dhe ka hapësirën e vetëveprimit në këto procese. Ne kemi dëshmuar që jemi se një forcë politike që vë interesat e vendit mbi interesat politike të momentit dhe kemi ndërmarrë hapa të panjohur më parë në politikën shqiptare, të cilat për një periudhë kohe të rëndësishme kanë mundësuar përpjekjet dhe reforma të lëvduara nga komuniteti ndërkombëtar”.

Mbledhja e sotme e grupit parlamentar socialist pati përplasje të mëdha, diversitet mendimesh dhe opinionesh.

Ata që do të shkelin për herë të parë në parlament janë përpjekur me çdo formë të mbrojnë pikëpamjet e kryetarit në detyrë, madje duke shkuar dhe më larg.

Për shembull deputetja amerikano-shqiptare, Rudina Seseri, është shprehur jo vetëm për bojkot të parlamentit, por sipas saj duhet të ngrihet dhe populli në këmbë duke dalë në protesta për të shprehur revoltën ndaj maskaradës elektorale.

Ndërkohë Ditmir Bushati ka kërkuar që deklaratat e ndërkombëtarëve të mos merren shumë seriozisht duke servirur si model atë çka ndodhi në zgjedhjet e Majit ’96, ku megjithëse zgjedhjet sipas tij ishin të manipuluara ndërkombëtarët i pranuan ato fillimisht si zgjedhje të rregullta.

Një tjetër mbështetës, Ilir Beqja, ka propozuar qe socialistët të shkojnë në parlament ditën e hënë për të bërë të vlefshëm mandatin e tyre, çka do të thotë shënimi i emrit në borderonë e parlamentit, por ky propozim është kundërshtuar kryesisht nga deputetët biznesmenë të Partisë Socialiste./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka