Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Socialiste vlerëson mesazhet që përcillen në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Europian, për Shqipërinë. Sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi, ka reaguar pas kësaj deklarate duke e konsideruar atë si nxitje dhe mbështetje, për vazhdimin e procesit të integrimit.

Gramoz Ruçi: “Mesazhet që përmban deklarata u drejtohet të gjitha institucioneve e faktorëve politik të vendit. Kjo gjithëpërfshirje është në logjikën shumëdimensionale, të vetë procesit të integrimit. Është edhe shprehje e domosdoshmërisë së mbështetjes që duhet të gjejë nga të gjitha orcat politike të vendit, pa dallim përkatësie, mazhorance apo opozite.”

Në deklaratën e bërë nga Holanda, vendi që ka presidencën e radhës së BE-së, Shqipëria paralajmërohet, se dështimi në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira të ardhshme, do të jetë zmbrapsje për aspiratat e vendit tonë për integrim. Ndërsa Ruçi në deklaratën e tij për shtyp mohoi, se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po bashkëpunojnë për zbatimin e raportit të OSBE-së për kodin zgjedhor.

Gramoz Ruçi: “Ne kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi koseguent në atë që kemi deklaruar. Njohim raportin e OSBE-ODHIR dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe kemi gjithë vullnetin politik dhe predispozicionin tonë në të gjitha strukturat dhe institucionet e shtetit shqiptar për implementimin e këtyre rekomandimeve për përmirësimin e kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.”

Në lidhje me deklaratën e presidencës holandeze të BE, për ecurinë e reformave në Shqipëri, Ministri i Shtetit Marko Bello ka thënë, se qeveria shqiptare vlerëson objektivitetin me të cilin BE përcjellë zhvillimet në vendin tonë.

Marko Bello: “Qeveria e Republikës së Shqipërisë, pasi u njoh me deklaratën e presidencës holandeze të BE, vlerëson objektivitetin me të cilin BE përcjellë zhvillimet në vendin tonë dhe siguron atë se, këto rekomandime janë në vëmendje konstante të qeverisë dhe institucioneve të shtetit shqiptar.”

Më pas ministri Bello tha, se integrimi në BE ëhtë i gjatë dhe i vështirë, por qeveria shqiptare është në rrugën e duhur.

Marko Bello: “Integrimi i Shqipërisë në BE është një proces i gjatë është një sfidë shumë e vështirë, ne jemi realistë që kërkohet shumë më tepër, për të përmbushur ato standarde me qëllim që dhe në një ditë të jemi anëtarë të BE.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka