Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Partitë e vogla parlamentare i frikësohen ndryshimeve të disa neneve të kodit zgjedhor, pasi në një ndër to mund të jetë edhe rritja e pragut elektoral rreth 4%. Sipas kryetarit të Partisë Republikane Fatimir Mediu, një gjë e tillë do të sillte katastrofë në jetën politike.
Fatmir Mediu: “Në qoftë se do të ketë një rritje pragu, për mendimin tim është për tendencën për të kontrolluar pushtetin dhe jo të për të ushtruar pushtetin. Një gjë e tillë kërkon një ndryshim kushtetues dhe një ndryshim kushtetues me një konsensus politik ndërmjet PS dhe PD do të kërkonte 2/3 dhe unë mendojë që do të ishte shumë kompromentuese për PD, një konsensus i tillë me PS. Nga ana tjetër mendoj, që në qoftë se do të ketë veprime të tilla mund të ketë edhe veprime të anës tjetër, të kërkesës për referendume popullore nga ana e forcave të tjera politike, që do të krijonte akoma më tepër një potencial konflikti brenda për brenda opozitës krejt të pa nevojshëm”.
I të njëjtit mendim është edhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate Gaqo Apostoli. Sipas Apostolit, marrëveshje të tilla midis dy partive të mëdha, nuk i shërbejnë vendit, pasi rezultatet e tyre i kemi parë edhe më parë.
Gaqo Apostoli: “Ndoshta përfaqësues të veçantë të këtyre dy partive, mund të kenë hedhur një ide, por do të thosha që edhe në qoftë se dy partitë e mëdha sajojnë ndonjë akord, për rritjen e barrierës elektorale, ky akord do të ndeshet në barrierën kushtetuese, pra në dhunim të ligjit kushtetues, gjë që është e pa mundur dhe mbi të gjitha do të thosha, që një akord i tyre do të ishte sërish i pa pavlefshëm. Një marrëveshje e tyre do të jetë sërish e dështuar dhe do të jetë destabilitet i vendit ose i qeverisjes së vendit”.
Sipas Apostolit mbi bazën e Kushtetutës aktuale kemi mundësi të korrigjojmë gabimet e ligjit elektoral, të cilat kanë qenë produkt i marrëveshjes PS-PD, duke dhunuar kështu punën e komisionit bipartizan./tvklan.al