Partitë e vogla parashikojnë një proces zgjedhor të dështuar si pasojë e marrëveshjeve të fshehta që bëhen në selinë e OSBE-së me partinë demokratike dhe partinë socialiste. Presidenti i aleancës demokratike Neritan Ceka kritikon iniciativa të tilla duke fajësuar OSBE-në që ndërmerr nisma shkatërruese për proceset zgjedhore.

Neritan Ceka: “D.m.th. kjo është në vazhdën e gabimeve që ka bërë gjithmonë OSBE-ja, që futet atje ku s’i takon dhe drejton një proçes i cili është i dështuar që në paragjykim. Që kur, në momentin që paragjykohet se proçesi zgjedhor, i takon vetëm dy partive të mëdha, ky është një proces i dështuar. Është një iniciativë e bazuar në parimin stalinist se s’ka rëndësi se si votohet, rëndësi ka se kush i numëron zgjedhjet, kush i numëron votat gjatë zgjedhjeve e të jenë të sigurt zotërijtë e OSBE-së, qoftë dhe zotërijtë e partisë socialiste dhe të partisë demokratike, se ky vënd nuk është në Afrikën Qëndrore.”

Ndërsa kryetari i partisë demokrate të re Genc Pollo kërkon transparencë nga OSBE-ja, kur bëhet fjalë për çështje kaq të rëndësishme politike në vend dhe përfaqësim të të gjitha partive kur të krijohet komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.

Genc Pollo: “Çfarëdo që të bien dakord njëra palë me palën tjetër me ndërmjetësit e fshehtë, do kalojë përsëri në parlament dhe blloqet e mëdha nuk janë më aq të mëdha sa ishin. Ne do presim dhe të, dhe do shikojmë çfarë do bëhet në komisionin parlamentar që do merret me këtë çështje.”

Kritik ndaj OSBE-së u shpreh edhe kryetari i bashkimit të të drejtave të njeriut Vangjel Dule.

Vangjel Dule: “Shpresonim se pësimi do ishte bërë mësim. OSBE-ja ka pasur një rol, për gjykimin tonë dhe e kemi shprehur në zgjedhjet e pushtetit vendor, të paqartë. Nuk ka pse eksperimentohet në Shqipëri dhe vetëm në Shqipëri me komisione partiake elektorale të të gjitha niveleve, por të aplikohet praktika e vendeve të avancuara perëndimore.”

Partitë e vogla pranojnë që të bëhen ndryshime në kodin zgjedhor. Pika kyçe që ato kërkojnë ndryshimin në ligjin e zgjedhjeve është numërimi i votave. /tvklan.al