Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Partitë opozitare me në krye Partinë Demokratike, kanë vendosur sot të marrin pjesë në tryezën e thirrur nga Partia Socialiste. Pas një mbledhje të gjatë, ata deklaruan se do të përfaqësohen nga 5 vetë, ndërsa ende nuk është përcaktuar niveli i pjesëmarrjes.
Kreu republikan Mediu tha, se opozita do të shkojë e qartë në kërkesat dhe qëndrimet e saj përsa i përket KQZ, listave të votuesve dhe ndarjes elektorale.
Fatmir Mediu, Krytar i PR:- “Ne vendosëm, që do të marrim pjesë në tryezë, me angazhimin tonë, me ftesën e mëparshme që bëmë dhe me angazhimin për të gjetur zgjidhje dhe kompromise, për të pasur një fushatë zgjedhore të lirë dhe të barabartë. Opozita i ka paraqitur propozimet e saj dhe është nën përgjegjësinë e mazhorancës, që të kthejë përgjigje për propozimet e opozitës, nëse duhet të jemi serioz”.
Partitë opozitare e kanë quajtur pozitive shtyrjen nga byroja e parlamentit të seancës për miratimin e ndarjes elektorale. Ky ishte dhe një nga kushtet e PD, për të marrë pjesë në tryezë.
Jemin Gjana:- “Duke pasur një takim të partive politike, të pozitës dhe opozitës, për datën 28 Shkurt, besoj se do të ketë një mirëkuptim që çështjet të diskutohen”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego