Ai është një këngëtar dhe kantautor i njohur shqiptar, i dalluar për zërin, talentin origjinal, stilin ekstravagant, guximtar dhe të pandryshueshëm që në fillimet e veta.
Ky vit përkon me 25-vjetorin e karrierës artistike të Bojken Lakos, një rrugëtim i cili ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare, sidomos në rrymën e rrokut.
Dhe pikërisht në këtë përvjetor të rëndësishëm të karrierës së tij, ai ka zgjedhur të sjellë një koncerti recital.
I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Lako rrëfeu se koncerti do të mbahet në datat 6 dhe 7 dhjetor në sallën e madhe të Akademisë së Arteve. Dhe siç e quan ai, ky koncert do të të mbyllë një kapitull të jetës së tij.
“Koncerti do të mbahet në datat 6 dhe 7 Dhetor në sallën e Akademisë së Arteve ku unë kam realizuar një koncert në vitin 1995. Ai ka qenë koncerti i parë i plotë i repertorit tim dhe unë kam nostalgji për atë sallë dhe kam një lidhje me të. Mendova që ta realizoj aty edhe për faktin se është një sallë që simbolizon gjëra të rëndësishme në jetën time.
Më pas do doja të vazhdoja diçka të re. Pas bashkëpunimit që pata me kompozitorin Alban Laro në festivalin e fundvitit në RTSH vitin e kaluar menduam të bëjmë këtë recital për të mbyllur një kapitull të jetës time. Menduam të bëjmë një koncert me 14-15 këngë të miat. Albani ka marrë vetëm motivet që i pëlqejnë dhe i ka riorkestruar për të dhënë një gjë të re. Përveç këtyre këngëve unë do të luaj edhe këngët e mia më të njohura rrok me bashkëpunëtorët e mi. Pas këtij koncerti do të nxjerr një këngë dance, pak më komerciale”,
tha Lako.
/tvklan.al