Lajme Arkiva 2003

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas diskutimeve që kanë zgjatur deri në orët e vona të pasdites ka vendosur të lejojë Partinë Demokrate të Reformuar të regjistrohet në zgjedhjet lokale të tetorit.

 Megjithëse vendimi përfundimtar do të shpallet nesër KQZ ka vendosur të lejojë partinë e Pollos të marrë pjesë në zgjedhje, ndërkohë që për të mos krijuar konfuzion te zgjedhësit për shkak të ngjashmërisë që ka sigla e kësaj partie me atë të Partisë Demokratike ajo duhet të vendosë se kush do të jetë shenja dalluese në fletë e votimit.

Gjatë gjithë ditës së sotme anëtarët e KQZ-së kanë diskutuar zbatimin e rregullores drejtshkrimore në dokumentacionin e regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore. Shkronja “r” e vogël e cila nën siglën e Partisë së Pollos nënkupton e reformuar bie ndesh me rregullin e drejtshkrimit që nuk lejon vendosjen e shkronjave nistore kur bëhet fjalë për shkurtime fjalësh.

Pasi kanë bërë punën e gjuhëtarëve për orë të tëra anëtarët e KQZ-së kanë diskutuar edhe për përfundimin e mandatit të anëtarit të KQZ-së Igli Toska. Pas debateve është vendosur që Toska të vazhdojë punën e tij deri sa të mblidhet parlamenti, pasi KQZ-ja nuk ka kompetencë ligjore për të vendosur për mandatin e anëtarëve të tij./tvklan.al