Firma “Flevi” pronari i së cilës u egzekutua në mënyrë mafjoze në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në kryeqytet konsiderohet si një nga firmat më të mëdha tregtuese dhe eksportuese të skrapit ne Shqipëri.
Sipas të dhënave nga porti detar i Durrësit ky subjekt trajtonte 20 deri në 25 mijë ton skrap në muaj, çmimi i të cilave varionte nga 100 deri në 120 dollarë për ton. Por sipas burimeve portuale, firma Flevi gjatë muajve të fundit kishte lidhur kontrata të rëndësishme me firmën turke “Kurum”. Në lidhje me aktivitetin e tij, pronari i firmës kishte marrë me qira një pjesë të mirë të kalatës numër 8 të portit detar të Durrësit, ku perveç eksportit të skrapit edhe importonte hekur. Burime doganore të portit pohojnë se kjo firmë ishte një nga më të rregulltat e shlyerjes së detyrimeve doganore.
Firma “Flevi” vepronte në port që prej dy vjetësh dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me autoritetet portuale. Ajo furnizohej me materiale hekuri kryesisht nga veriu i vendit, tek mbeturinat e minierave dhe fabrikave të rrënuara. Pas egzekutimit të pronarit të kësaj firme, puna është ndërprerë, ndërkohë që në port janë ankoruar dy anije në pritje për tu furnizuar me skrap./tvklan.al