Pas dy netëve gjysmëfinale, sonte në Pallatin e Kongreseve do të mbahet finalja e “Këngës Magjike” që do të transmetohet në ekranin e Tv Klan.

Pak para nisjes së finales, producenti Ardit Gjebrea së bashku me 2 bashkëprezantueset e “Këngës Magjike”, Matilda Mcini dhe Selinë Bollati kanë rrëfyer më shumë detaje rreth asaj që pritet të ndodhë mbrëmjen e sotme.

Gjatë fjalës së tij, Ardit Gjebrea ka vënë theksin tek rëndësia që ka votimi i publikut në natën finale të “Këngës Magjike”, teksa ka thënë se do të jetë publiku ai që do të zgjedhë fituesin e festivalit.

Ardit Gjebrea: Sonte do të shohim një nga netët më të bukura, sepse janë më të mirët dhe çdo gjë është kuruar me kujdes. Nuk do të kemi 1, por 2 surpriza. Të ftuar special janë vetë artistët.

Anisa Krraba: Sa çmime do të kemi?

Ardit Gjebrea: Do të kemi 3 çmimet e para dhe çmimi “Best New Artist”. Ajo që është më e rëndësishmja është votimi i publikut. Domethënë, ai që do të vendosë sonte çmimin e parë do të jetë vetëm publiku. Është me sistemin që votat e telefonit do të mblidhen dhe secila prej tyre do të vijë vetëm me kodin e votimit dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse ne kemi pasur mbi 8 mijë mesazhe të ardhura dhe rreth 2 mijë e 500 kanë qenë të pavlefshme sepse votojnë me emrat e këngëtarëve. Kështu që do ju lutesha të gjithëve që të votojnë vetëm me kodin e votimit.

Anisa Krraba: Sot ka qarkulluar aq shumë ai lajmi i tërheqjes nga gara e duetit të Arilena Arës dhe Pirro Çakos, të lutem a mund ta dimë arsyen?

Ardit Gjebrea: Unë falenderoj redaksinë e lajmeve që na kanë dhënë hapësirën për të qenë lajmi i parë dhe nuk besoj se një sëmundje është kaq e rëndësishme sa për t’i dhënë hapësirë lajmit të parë. Pse nuk bëhet lajm që unë jam pothuajse pa zë? (Qesh)

Drini Zeqo: Sepse me ty janë mësuar që nuk dorëzohesh asnjëherë.

/tvklan.al