Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Projektmarrëveshja e qeverisë shqiptare me investitorët italianë për përpunimin e plehrave, ka gjetur kundërshtimin e hapur të kryetarit Demokracisë Sociale Paskal Milo. Për Milon një marrëveshje e tillë është anti-kushtetuese dhe jo transparente.

Paskal Milo: “Kjo do të ishte një shkelje flagrante e legjislacionit shqiptar, duke filluar nga Kushtetuta, nga ligji për koncensionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe në infrastrukturë, të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, të ligjit për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta, neni 26 i të cilit përcakton, se në Republikën e Shqipërisë, ndalohet importimi i mbetjeve për ruajtje, depozitim ose asgjësim”.

Duke iu referuar projektit për pronat, Milo tërhoqi vëmendjen e qeverisë, për të mos dëmtuar interesat e pronësisë së banorëve në zonat turistike në jug të vendit.

Paskal Milo: “Demokracia sociale, sheh me shqetësim, përpjekjet që po bëhen që në emër të krijimit të të ashtuquajturave “fshatra turistikë”, t’u mohohet e drejta legjitime banorëve të bregdetit, që të administrojnë vetë pronat e tyre”.

Përsa i përket zhvillimeve në kampin socialist, Milo tha, se partia e re e Metës, do të sillte rishpërndarje të votave për të majtën, por megjithatë kjo nuk do të përjashtonte një koalicion të ri pas zgjedhjeve./tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame