Kuvendi diskuton të enjten projektligjin për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2009. Një seancë në të cilën pritet të diskutohet vetëm mes ligjvënësve mazhoritare dhe një përfaqësuesi të opozitës, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kryetari i Grupit Kuvendor Demokrat, Astrit Patozi, e cilësojë këtë një shans të humbur për Partinë Socialiste, kur bëhet fjala për debate që kanë të bëjnë me administrimin e financave shtetërore. Patozi shfrytëzoi rastin t’i bëjë thirrje sërish PS-së të heq dorë nga bojkoti.

Astrit Patozi: “Unë jam këtu sot për të garantuar dhe siguruar PS-n se ftesa jonë për rikthimin tyre në parlament është shumë e sinqertë dhe shumë serioze. Ne duam opozitën në parlament për të pasur një debat normal politik në institucionin më të lartë të shtetit, ne duam opozitën në parlament për të vijuar reformat e ndërmarra për të cilat ka nevojë jetike vendi. Por mbi të gjitha ne duam opozitën dhe PS në parlament për të shqyrtuar dhe trajtuar me seriozitet bashkarisht të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Nga ana tjetër ne jemi të gatshëm dhe të hapur që të shqyrtojmë dhe trajtojmë të gjitha kërkesat dhe pretendimet e tjera të opozitës me vetëm një kusht që këto të jenë në përputhje dhe në respekt të kushtetutës dhe ligjeve të vendit”.

Që prej fillimit të legjislaturës së re, shënohen më shumë se dy javë bojkot i opozitës i seancave plenare dhe veprimtarisë së komisioneve të përhershme kuvendore./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi