Partia Demokratike akuzon Bashkinë e Tiranës se vijon të vjedhë taksat e qytetarëve për një incenerator që sipas saj, nuk ekziston.

Koordinatorit të rajonit të Tiranës, Klevis Balliu në një deklaratë nga selia blu thotë se kompanitë e lidhur me inceneratorin deklarojnë se kanë fituar 7.4 milionë Euro gjatë vitit 2023, ndërsa ngre shqetësimin e pastrimit të mbetjeve në kryeqytet.

“Ndërkohë që ju paguani çdo ditë e çdo muaj taksa të mbetjeve dhe incenerimit, Tirana dhe Shqipëria është e mbytur nga plehrat. Integrated Energy, kompania e famshme e inceneratorit fantazëm të Erion Veliajt në Tiranë ka bërë bilancin e vitit 2023, ku deklaron se ka fituar plot 7.4 milionë Euro nga taksat tuaja. Vërteton atë që ne themi prej kohësh, se inceneratori është skemë e Ramës dhe Veliajt, jo për të pastruar Tiranën, por për të pasuruar veten dhe shoqninë”, u shpreh Klevis Balliu.     

Balliu thotë se edhe bashkitë e tjera të vendit janë në kolaps për shkak së nuk kanë ku të depozitojnë mbetjet.

“Bashkitë e vendit janë futur në kolaps pasi me mbylljen e pikës së depozitimit të Porto Romanos, mbetjet për një sërë bashkish depozitohen në Sharrë, te landfilli ku duhet të ishte inceneratori i Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, tha Balliu.   

Duke akuzuar drejtësinë se nuk arreston personat e përfshirë në korrupsion, Balliu fton qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 8 Shkurtit në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Klan News