Afro 8 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025, kryesia e Partisë Demokratike ka caktuar drejtuesit politik të saj në 12 qarqet e vendit. Në mungesë të Sali Berishës fushata elektorale do drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka.
Qarku më i madh në vend, ai i Tiranës i është besuar Belind Këlliçit. Gazment Bardhi, i cili mban edhe detyrën e kreut të grupit parlamentar të demokratëve, do të drejtojë Qarkun e Fierit.
Nënkryetari i kësaj force politike Oerd Bylykbashi do jetë në krye të Qarkut të Durrësit. Luçiano Boçi, i cili mban edhe ai detyrën e nënkryetarit të Partisë Demokratike do jetë drejtues politik në Shkodër. Agron Gjekmarkajt, kryesia e Partisë Demokratike i ka besuar drejtimin e Qarkut të Lezhës.
Elbasani do të kryesohet nga Ervin Salianji, Korça nga Ivi Kaso, Kukësi nga Flamur Hoxha, Dibra nga Xhelal Mziu, Berati nga Eno Bozdo, Vlora nga Bujar Leskaj dhe Gjirokastra nga Tritan Shehu.
Gjatë mbledhjes së kryesisë që zgjati për afro dy orë, Sali Berisha i ngarkoi kryesisë të marrë përsipër përgjegjësinë e votës së lirë.
“Ne hymë në vit elektoral, në një kohë kur asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk është pranuar të shqyrtohet nga Edi Rama. Të sqaroni çdo anëtare dhe anëtar tonin dhe çdo qytetar dhe qytetare, se ajo që votuat në parlament nuk ka asnjë lidhje me problematika e mëdha të zgjedhjeve, Ne kërkojmë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë”.
Përmbushja e këtij misioni për Sali Berishën kalon vetëm përmes një rruge.
“Dhe ky kthim i votës së lirë realizohet vetëm em një qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe procedimin në krijimin e një qeverie teknike”.
Zemëratën ndaj të vetëve se fshehu aspak duke kërkuar nga demokratët në të gjitha nivelet angazhim maksimal në betejën për rikthimin e votës së lirë.
“A mund të ecim ne si somnobyl për të marrë një mandat dhe për të firmosur mandatin e katërt të Edi Ramës? Kurrë! Duhet të bëjmë gjithçka. Të investojmë ditë e natë në dialog me qytetarët, në dialog me anëtarësinë tonë, me aleatët tanë. Të përmbushim këtë mision”.
Krahas përgatitjeve për betejën elektorale të 2025, Berisha paralajmëroi gjithashtu një valë protestash, vendimin për të cilat pritet ta marrin organet drejtuese të kësaj force politike.
Tv Klan