Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Partia Demokratike e cilëson përpjekje për të dështuar zgjedhjet, letrën e kryeministrit Nano ndaj shefit të misionit ODIHR.
Jemin Gjana: “Duke shkelur mbi të gjitha këto është e qartë, se Nano po bën të gjitha përpjekjet për të dështuar zgjedhjet në Shqipëri, për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta dhe për ta lënë vendin nën kontrollin e mafies dhe krimit të organizuar, drejtuar prej tij”.
Në letrën e publikuar dy ditë më parë, kryeministri Nano kërkonte dërgimin sa më të shpejtë në Shqipëri, të një misioni verifikues nga OSBE-ODIHR, si dhe garantonte se mazhoranca e drejtuar prej tij, do të pranonte pa asnjë rezervë konkluzionet që do të paraqiste ky mision.
Bashkëkryetari demokrat në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore Gjana, kundërshtoi deklaratat e zëdhënësave të Nanos në KQZ, parti dhe qeveri siç i quajti ai, mbi balancimin e KQZ. Duke cituar kodin e praktikës së mirë të Komisionit të Venecias, vlerësimet e ODIHR-it në Prill 2004 dhe protokollin PS-PD të firmosur në 1 Korrik, Jemin Gjana deklaroi se balancimi i KQZ përbën themelin e reformës dhe nëse nuk zgjidhet kjo pikë e marrëveshjes, komisioni është i dështuar.
Në përgjigje të kësaj deklarate, burime zyrtare të kryeministrisë u shprehën, se PD kundërshton çdo hap pozitiv për shkak se po përgatit kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Sipas tyre letra e kryeministrit Nano është në kohën e duhur dhe ndihmon në procesin e reformës zgjedhore./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj