Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Partia Demokratike është e gatshme të heqë dorë nga protestat, vetëm nëse socialistët do të pranojnë balancimin e KQZ. Sipas bashkëkryetarit në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore Jemin Gjana, puna e komisionit ngrin dhe nisin protestat, nëse në shtator partia në pushtet nuk jep sinjale bashkëpunimi për KQZ.

Jemin Gjana: “Në qoftë se në ditët e para të shtatorit PS do të heqë dorë nga deklarimi i saj i përsëritur, se është kundër balancimit të KQZ dhe do të vijë në dakordësinë bazuar në këto variante dhe në raportin që grupi i ekspertëve i ka paraqitur komisionit për balancim, çështja të gjejë zgjidhje dhe ne mund të ecim më tutje”.

Sipas Gjanës, dy variantet e propozuara nga ekspertët e BE-së, nuk çojnë në bllokim të vendimmarrjes, sepse një gjë e tillë zgjidhet përmes kolegjit zgjedhor.

Jemin Gjana: “Veç kësaj, kriteret për t’i përzgjedhur anëtarët e KQZ, do të jenë të tilla, që të dërgohen atje njerëz me integritetin maksimal, që pasi të jenë propozuar dhe miratuar nga institucionet përkatëse, ata të zbatojnë vetëm ligjin”.

Pavarësisht presionit të PD për protesta masive, PS është e vendosur në qëndrimin e saj për të mos pranuar asnjë nga propozimet e rekomanduara nga ekspertët OSBE-së.

Elmaz Sherifi: “Ne do ta respektojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR, të ekspertëve që kanë përpiluar këto rekomandime dhe jo të faktorëve të tjerë, që dëshirojnë të interpretojnë në mënyrën e tyre”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj