18 vjetori i krijimit të partisë Demokratike, forcës së parë opozitare në vend që shembi murin e komunizmit, është festuar me madhështi nga mazhoranca qeverisëse në një atmosferë tejet festive në sallën e pallatit të Kongreseve.

Ditëlindja e 18 e partisë demokratike që zhvillohet vetëm pak muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare ka patur si kryefjalë të sajën moton “Shqipëria po ndryshon” moto që duket do të shoqërojë dhe fushatën elektorale të demokratëve në 2009.

Duke marr fjalën  përpara mijëra simpatizantëve, ku sigurisht nuk kanë munguar iniciatorët e Lëvizjes Studentore që sollën rokadën e madhe si dhe themeluesit e partisë Demokratike.

Kreu i mazhorancës ka bërë një ekspoze të detajuar të gjitha përpjekjeve të demokratëve në 18 vite, për të ardhur në ditët e sotme, ditët e anëtarësimit në NATO dhe shanseve të mëdha për integrimin europian, që për ti bërë realitet sipas Berishës kërkojnë votat e shqiptarëve për një mandat të dytë.

Sali Berisha: “3 vjet më parë në Shqipëri korrupsioni ishte shtruar në sistem. Portat, pikat tjera të kalimit  të kufirit, doganat dhe rrethe të tëra kontrolloheshin nga krimi i organizuar famëkeq shqiptar që i kishte nxirë imazhin Shqipërisë dhe shqiptarëve në kronikat e zeza të Europës dhe të botës. Procesi i integrimit të vendit pothuaj kishte ndaluar. Ne u premtuam shqiptarëve që votuan koalicionin tonë reforma, reforma dhe vetëm reforma, për të realizuar ndryshimin që ata prisnin. Në përputhje me programin tonë ne shpallëm sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, si përparësinë e parë të qeverisë shqiptare. Të shumtë ishin ata skeptikë që nuk besonin në suksesin tonë. Jo të paktë ishin ata që mbronin me imunitetin e tyre simbiozën, lidhjet dhe përfitimet me bandat mafioze. Por sot pas 3 vjetësh Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në rajonit në Europë. Ne e bëmë atë, dhe unë jam sot këtu për tu zotuar në këtë sezon elektoral se prerja e lidhjeve me krimin, kudo në çdo nivel janë dhe do mbeten objektivi ynë. Shqipëria, vendi më i sigurtë në rajon është zotimi ynë për mandatin e dytë që do na japin zgjedhësit shqiptar.”

Kryeministri ka folur për arritjet e 3 viteve të qeverisjes së demokratëve, qeverisje e suksesshme sipas Berishës që solli ndryshime të mëdha. Kjo falë vëmendjes së qeverisë për të bërë investimet e duhura në sektorët jetik.

E pikërisht në kulmin e debateve politike dhe një procesi hetimore të hapur nga organi i akuzës, Berisha nuk ka lënë pa renditur si një nga  premtimet e mbajtura dhe investimin gjigand për ndërtimin e korridorit që do të lidh 2 kryeqytetet shqiptare, rrugën Durrës-Kukës-Morinë.

Kryeministri është shprehur i sigurt për një fitore të madhe në zgjedhjet e vitit 2009.

Sali Berisha: “Aorta e kombit po bëhet realitet. Ndërtimi i saj tmerron armiqtë dhe kundërshtarët e saj. Sepse Shqipëria, portet e saj, Kosova, territori i saj, fitojnë rolin … gjeostrategjike që nuk e kanë patur ndonjëherë më parë. Ndërtimi në një kohë rekord i korridorit shqiptar gjatë këtij mandati përbën një nga arritjet më të mëdha historike të PD, të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Inaugurimi i tij muajt e ardhshëm të vitit që vjen përbën tmerrin, turpin, fundin e armiqve dhe të kundërshtarëve të saj. Shqiptarët do fitojnë.”

Berisha e ka mbyllur fjalën e tij pasi ka falënderuar shqiptaret për besimin dhe mbështetjen e madhe që i kanë dhënë partisë demokratike në të gjitha këto vite jetë, nuk ka munguar në fund të ceremonisë dhe torta e ditëlindjes qirinjtë e së cilës janë fikur nga lideri i selisë blu nën tinguj e këngës shume urime për ty./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka