Astrit Patozi: “PD-ja është shprehur në mënyrë të qartë dhe të vendosur se përshëndet dhe mbështet të gjitha kërkesat e rezolutës së asamblesë parlamentare të KiE. Ne jemi të gatshëm që mundësisht këtë të enjte të nisim ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e fundit duke pasur qëllimin e mirë të kthimit të opozitës për të zënë vendet e saj në Parlament. Gjithmonë në këtë kontekst PD thekson gatishmërinë e saj për të mirëpritur kontributin e presidentit të republikës të çdo aktori tjetër pa asnjë lloj paragjykimi, duke vërejtur se jashtë rrafshit kushtetues respektimit të shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave mund të ketë vetëm një dialog shterpë dhe asgjë më shumë se kaq.”
Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi tha se mazhoranca mbetet e vendosur të bashkëpunojë me opozitën ndonëse konstaton se kryetari i PS, Edi Rama po i bën siç tha Patozi, karshillëk rekomandimeve të asamblesë parlamentare të KiE.
Astrit Patozi: “Ne si mazhorancë mbetemi sërish të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën sapo që ajo të vendosë që të respektojë Kushtetutën e vendit, shtetin ligjor dhe rregullat e lojës për një vend demokratik. Por ndërkaq kërcënimeve të vazhdueshme të zotit Edvin Kristaq Rama si dhe aludimeve të tij për vitin 90, i përgjigjemi shkurt dhe prerë, se ne që përmbysëm etërit nuk ka se si të impresionohemi nga bijtë e bllokut të cilët me sa duket po u gënjen mendja të hakmerren për disfatën e baballarëve tyre.”
Në këtë mënyrë Partia Demokratike vendos t’i japë përgjigje përfundimtare rekomandimit më të rëndësishëm të rezolutës së Strasburgut, siç është ngritja e komisionit hetimor parlamentar si hap që për të rikthente opozitën në Kuvend.
Ky komision sikundër thekson dokumenti i asamblesë së Këshillit të Evropës, duhet të ketë si objekt hetimin e zgjedhjeve deri në atë shkallë që nuk cenon kushtetutën./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi