Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Lufta e akuzave ka nisur mjaft e ashpër brenda PD. Pas deklaratës së djeshme të ish-nënkryetarit demokrat Genc Pollo, bashkëpunëtorit më të afërt të Berishës, sot kanë reaguar njerëzit me pushtet në Partinë Demokratike duke sqaruar gjendjen financiare të liderit demokrat.
Edi Paloka, Zëdhënësi i PD:- “Kryetari i PD Berisha, është i vetmi politikan shqiptarë, që në mënyrë të përsëritur ka bërë publike pasurinë e tij. Më datë 9 Shtator të këtij viti Berisha në parlament ka deklaruar publikisht se pasuritë e tij dhe se çdo pasuri tjetër që të gjendet të konfiskohet dhe poseduesit të përgjigjen para ligjit”.
Sipas zëdhënësit të PD, Edi Paloka, Pollo sulmon Berishën me argumentat e Nanos dhe Klosit për t’i shpëtuar kështu veprimeve të prera të kësaj partie. Ndërsa Genc Pollo i pari që ka akuzuar publikisht ish-Presidentin Shqiptar për përfitime afera të dyshimta, është shprehur sot se të gjitha insinuatat e ngritura nga Berisha, nuk mund t’i kundërvihen dot fakteve të paraqitura një ditë më parë.
Pas masës ekstreme të kryesisë së PD ndaj deputetëve që morën pjesë në seancën e votbesimit të Qeverisë Meta, Pollo ka kërkuar në mbledhjen e grupit parlamentar të sqarohen deklaratat sipas të cilave, ca deputetë kishin marrë pjesë në seancë për të mbrojtur aksionet, bizneset dhe aferat e tyre.
Pollo ka kërkuar vazhdimisht të merrte sqarime apo deklarata të tërhiqeshin zyrtarisht, në të kundërt ai është shprehur se do detyrohej të fliste për disa të vërteta të pakëndshme. Të dy kundërshtarët Pollo dhe Berisha kanë shprehur gadishmerinë për t’u përballur me drejtësinë./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego