Partia Demokratike kërkon të marrë përgjigje të qartë nëse Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe i Deklarimit të Pasurive është në gjendje të hetojë e verifikojë pasuritë e politkanëve. Me anë të kërkesës, të bërë tashmë nga deputetët e djathtë, për mocion me debat në një seancë parlamentare, demokratët duan të sensibilizojnë publikun për aftësitë që ka ky komision për të kryer detyrën. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode shprehet se inspektoriati ka hapësira ligjore për të verifikuar pasuritë e zyrtarëve.
Ridvan Bode: “Ligjërisht komisioni është i detyrar që të bëjë verifikimin e pasurive dhe verifikimi i pasurive, deklaratave të pasurive përbën një lloj hetimi. Në rastet kur ka probleme që dalin jashtë kompetencave dhe parashikimeve që ka ligji për deklarimin e pasurive është e drejtë e këtij komisioni që t’i adresohet, qoftë organeve ligjore, qoftë edhe Kuvendit të Shqipërisë për të kërkuar, si të thuash, çlirimin e detyrimeve specifike që mund të lindin për persona të veçantë, por mendoj që nuk është kjo çështja, nuk është ky problemi, problemi është se vetë komsioni ndihet i pafuqishëm dhe jo autoritar. Hetimin e deklaratave ka të drejtë pa kërkuar heqje imuniteti. Për procedura të tjera më të hollësishme për të filluar procesin penal pastaj ndiqet rregulli i përgjithshëm.”
Bode i bën përsëri thirrje inspektoriati të verifikojë sa më parë pasuritë e deklaruara nga zyrtarët e lartë. /tvklan.al