“Rama po shkel ligjin me zgjedhjet për kreun e ri të institucionit”
Ndonëse Komisioni i Venecias e rrëzoi paketën anti-shpifje, duke vënë në dyshim pavarësinë e organeve të reja; atë të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe AKEP-it, demokratët akuzojnë kryeministrin Rama se po bën lojë të dyfishtë. Ish-deputetja Albana Vokshi thotë se qeveria duhet të hartojë një paketë që të reflektojë jo vetëm një formulë të re rikompozimi të AMA-s, por të marrë në konsideratë edhe kërkesat e tjera të bërë nga ekspertët e “Venecias”, nga lira e medias dhe e shprehjes, deri tek mekanizmi vetërregullator me pjesëmarrjen e të gjitha palëve.
“Fuqitë e reja nuk duhet t’u jepen AMA-s dhe AKEP-it, pa siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarur nga partitë politike, nga bizneset e mëdha të medias dhe nga interesat e korporatave të lidhura me politikën,” thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias kundër ligjit të censurës.
Por pavarësisht opinionit të Venecias, Partia Demokratike , thotë se kryeministri po tenton ta shndërrojë në institucion partiak Autoritetin e Medias Audiovizive.
“Synon që, në kundërshtim me ligjin dhe me forcën e kartonave në Kuvend, të emërojë në krye të Autoritetit të Medias, Maklen Mishën, një individ thellësisht politik, siç emëroi në krye të institucionit për komunikimet elektronike, shefin e tij të protokollit. Edhe 3 pseudokandidatët e tjerë, që mbushin garën formale, janë rrogëtarë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”.
Përmes kandidimeve partike, sipas demokratëve, Autoriteti i Medias degradon në një gjykatë politike që ndëshkon gazetarët dhe mbyll portalet që vënë në qendër të kritikave qeverinë e Kryeministrin.
Tv Klan