Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rivendosja e votës së lirë me të gjitha mjetet demokratike mbetet objektivi kryesor i demokratëve. Pas publikimit të fakteve të reja rreth shpërndarjes së ndihmave humanitar, një ditë përpara balotazhit në zonën 52 në Elbasan, zëdhënësi Paloka kërkoi, heqjen e mandatit dhe ndjekje penale për ministren Leskaj dhe familjarët e saj.

Në duart e demokratëve kanë rënë faturat dhe listat e 250 familjeve, që janë furnizuar me thasë me miell dhe bidona me vaj të marra nga ndihmat e huaja humanitare. 

Edi Paloka:- “Partia Demokratike denoncon sot edhe një herë, bandën e Celibashit, e cila vendosi t’i japë mandatin kandidates socialiste, pa shqyrtuar asnjë nga materialet, provat dhe faktet, që provonin blerjen e votave dhe që banda i kishte administruar zyrtarisht për t’i shqyrtuar në KQZ. PD kërkon heqjen e mandatit dhe nxjerrjen e përgjegjësive penale ndaj ministres Leskaj, si dhe familjarëve të saj të sojit Shehu – Corleone. Gjithashtu PD siguron edhe njëherë, se rivendosja e votës së lirë, me të gjitha mjetet demokratike mbetet qëllimi i saj kryesor dhe këtij qëllimi ajo do t’i shkojë deri në fund”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame