Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar që të diskutohet në kuvend situata e fundit në Krujë, ku me qindra qytetarë janë paraqitur në spital me shenja helmimi. Kryetari i grupit demokrat, Alfred Rushaj tha se kërkesa është firmosur nga 10 deputetë dhe sipas rregullores kjo pikë duhet të diskutohet në Kuvend.

“Nga çfarë është verifikuar deri më tani rezulton që kemi të bëjmë me papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjit për furnizimin me ujë të qytetarëve. Kemi paraqitur kërkesën të firmosur nga 10 deputetë”, tha Rushaj.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla tha se strukturat shtetërore po bëjnë hetime dhe ky diskutim nuk mund të vihet në rendin e ditës. Ai u shpreh se javën e ardhshme, ministrja e Shëndetësisë dhe ai i Brendshëm do të sjellin informacion të plotë për këtë ngjarje.

“Siç raportohet edhe Prokuroria dhe Policia po bëjnë hetime. Nuk e di që Kuvendi i Shqipërisë ka atribute të bëjë qoftë hetime penale, qoftë hetime të karakterit mjekësor, këto i bëjnë autoritetet. Javën e ardhshme qoftë ministrja e Shëndetësisë, qoftë ministri i Brendshëm apo strukturat e tjera do të jenë në gjendje që t’i bëjnë Kuvendit informacion të plotë. Sa i përket sugjerimit tim për kërkesën pa mbulim në rregulloren e Kuvendit. Mund të kërkosh ndryshim rendi dite për një projektligj, për një projektvendim. Gëzoni të gjithë të drejtën që të kërkoni interperlance urgjente. Do të propozoja dhe si sugjerim, ngjarje të tilla duhen sa më pak politizimin dhe sa më shumë hetim. Mund ta them me bindje që nga momenti i parë strukturat kanë qenë prezente. Nuk mund të hyjë në rend të ditës pasi nuk ka interpelancë të kërkuar për këtë çështje”, tha Balla.

Alfred Rushaj tha se opozita nuk ka kërkuar që deputetët të bëjnë hetime penale, por se kërkesa e tyre është e mbështetur në rregullore. Për më tepër ai tha se deputetët e Krujës kanë të drejtë që të shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me këtë ngjarje.

“Nuk kërkuar hetime penale, por kërkuam që kjo seancë të fillojë me diskutime për atë ngjarje që është shumë e rëndë. Të gjitha strukturat shtetërore janë të mirëpritura ta hetojnë këtë ngjarje. Kërkesa jonë është e mbështetur”, tha Rushaj.

Por sërish, Taulant Balla propozoi me vazhdimin e rendit të ditës. Ndërkohë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se mirë është që të pritet informacioni i plotë për këtë ngjarje.

“Nuk është koha dhe momenti i duhur që të vijojmë me ndryshimin e rendit të ditës kur kemi çështje të përcaktuara dhe në Konferencën e Kryetarëve”, tha Nikolla.

Në fund, deputetët vendosën me vijimin e rendit të ditës. /tvklan.al