Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Partitë opozitare, kanë përkujtuar sot në sheshin “Skënderbej”, 10 vjetorin e rënies së bustit të Enver Hoxhës. Liderët e këtyre partive, Arbnori, Mediu, Laço, Ndreu, Selfo etj, kanë kërkuar heqjen e fotografisë së tij nga Ministria e Jashtme. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, tha Berisha, janë në shpirtin e atyre që qeverisin sot vendin.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Sot Ilir Meta, që riktheu në kabinetin qeveritar, portretin e Enver Hoxhës, mbetet vrasësi që hedh granata mbi demonstruesit paqësor. Sot ky është më i zi se vetë të bijtë e Enverit. Le të shënoi kjo ditë, fillimin e udhëtimit tonë, të sigurt ndaj çlirimit përfundimtar. Uragani i lirisë s’do të ndalet më, rroftë fitorja, rroftë Shqipëria, rroftë demokracia”.

Më pas protestuesit janë ndarë në dy pjesë. Një grup i udhëhequr nga Berisha, ka vazhduar xhiron përgjatë bulevardit dhe ka protestuar përpara kryeministrisë. Ndërsa grupi tjetër ka përkujtuar rënien e bustit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, duke rrëzuar dhe shkatërruar plotësisht, pemën e Vitit të Ri të vendosur në të njëjtin vend./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego