Opozita nuk do ta votojë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, projektvendimi për të cilin është futur në rendin e ditës së punimeve të seancës plenare të së enjtes.
Pas mbledhjes me deputetët, kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Gazment Bardhi e cilësoi propagandë të Kryeministrit ngritjen e këtij komisioni, duke e sfiduar mazhorancën që betejën me korrupsionin ta nisë nga ai zgjedhor.
“Nuk e mbështesim me votë ngritjen e këtij komisioni. Një kryetar kuvendi serioz nuk mund të fusin në rend dite një komision pa u konsultuar me opozitën, dhe nëse e kanë seriozisht ta nisin nga lufta kundër korrupsionit zgjedhor”, thotë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Për shkak të një konsensusi sa më të gjerë me opozitën, burime pranë mazhorancës konfirmojnë se mund ta tërheqin projekvendimin për ngritjen e Komsionit të Posaçëm Antikorrupsion në seancën e nesërme. Tentativa që i konfirmoi edhe Bardhi pas mbledhjes së grupit.
Ky qëndrim i opoziës vjen pas bojkotit që i bëri edhe projektrezolutës në seancën plenare të së hënës, e cila kaloi me 76 votat e socialistëve.
Por teksa për votimin e saj mazhorancës iu desh shumicë e thjeshtë, mbetet ende e paqartë sesi socialistët do të arijnë të prekin një sërë ligjesh mes të cilave edhe ato të Reformës në Drejtësi që kërkojnë 84 vota.
Tv Klan