“Lindëm në Demokraci, jetojmë në diktaturë”. Me këtë parullë nisi marshimi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike nga “Qyteti Studenti”. I pranishëm ishte edhe kryedemokrati Sali Berisha. Ai nderoi studentët e Dhjetorit ‘90, ndërkohë që theksoi se sot jetojmë në kushtet e një diktature të re.

“Sot ne nderojmë këtë ngjarje të madhe në kushte të një diktature të re, të një diktature, e cila sado që mund të çudisë, por studiuesit më të mëdhenj të diktaturave kanë quajtur këtë lloj diktature formën më të keqe të diktaturave. Shqipëria sot përjeton një diktaturë, një diktaturë në të cilën të gjitha puishtetet janë në dorë të një njeriu, të një antishqiptari ë nuk njeh as kod e as moral”, tha Berisha.

Ai u shpreh se demokratët janë të sigurtë në fitore në zgjedhjet e 11 Majit. Berisha u shpreh se PD do të pastrojë shtëpinë tonë, Shqipërinë.  

“Ne do shkojmë në zgjedhjet e 11 Majit të sigurtë në fitore. Të sigurt se do pastrojmë shtëpinë tonë që Zoti të hyjë brenda në këtë shtëpi. Shqipëria është toka e Zotit. Ndaj dhe të vazhdojmë mosbindjen civile, të vazhdojmë betejën. Është radha jonë. Të garantojmë çdo të ri dhe të re se qeveria e PD në programin e saj në epiqendër do të ketë të rinjtë shqiptarë…

Asgjë s’na pengon ne për të çliruar Shqipërinë nga kjo narkodiktaturë. Është radha jonë, fitore”, tha Berisha.

Kryedemokrati e mbajti fjalimin në një podium të ngritur në “Qytetin Studenti”. Pas fjalës së tij, studentë, ish-studentë të Dhjetorit dhe qytetarë iu drejtuan godinës së Kryeministrisë në marshimin e paralajmëruar prej tyre.

Gazetari Enkel Xhangoli raportoi se nuk pati incidente ndërkohë që efektivët e policisë kishin marrë masa në kohë për të patur çdo gjë nën kontroll.

Shqipëria kujton sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend. 

Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të protestave që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë./tvklan.al